Koncerti “Perlat e Muzikës Turke”, në kuadër të Javës së Kulturës Turke në Shqipëri, u mbajt në teatrin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”.
Pjesët më të mira të kompozitorëve Ahmet Adnan Sajgin dhe Ulvi Kemal Erkin u interpretuan nga artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit të Stambollit, duke sjellë për publikun durrsak melodi popullore nga të gjitha rajonet e Anadollit dhe duke shpalosur karakterin universal të muzikës turke.
Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kagan Atay: Jam shumë i lumtur që në ditën e dytë të Javës së Kulturës Turke, jam mes qytetarëve të Durrësit. Artistë nga Teatri i Operës dhe Baletit të Stambollit kanë marrë pjesë në këtë aktivitet të veçantë. Një nga arsyet kryesore që zgjodhëm Durrësin është historia e tij e lashtë dhe rrënjët e thella kulturore. Siç keni parë në broshurat pranë jush, koncerti titullohet ‘Perlat e muzikës turke’, ku kemi kënaqësinë t’ju prezantojmë me veprat e dy prej kompozitorëve më të njohur turq.
Violinisti Murat Anil Erginol u shpreh se i gjithë programi përfshin muzikë turke dhe se ai ndihet shumë i lumtur që ndodhet në Shqipëri.
Murat Anil Erginol, violinist: Për ne është një kënaqësi e veçantë të interpretojmë këtë muzikë në Shqipëri. Shpresoj të rikthehem sërish në Shqipëri. Kemi shumë ngjashmëri me popujt e Ballkanit dhe ndihemi si në shtëpinë tonë këtu, ndaj është një kënaqësi e madhe të ndajmë muzikën tonë me ju.
Hyrja ishte e lirë, duke u dhënë mundësinë artdashësve të përjetonin magjinë dhe emocionet e veçanta që sjell muzika turke.
Klan News