Janë nisur nga veriu i Shqipërisë me shpresën për të siguruar jetesën dhe për t’u bashkuar me të afërm matanë detit, por 24 orë pas nisjes nga bregu shqiptar kthehen në qese plasmasi të rojes bregdetare italiane, sërish në bregun shqiptar, ku i presin ambulancat e morgut dhe gati gjysma e qeverisë.

Kjo është tragjedia e 20 trupave të pajetë, 8 prej tyre nuk i kanë mbushur të 20-at. Liza Prengaj do të kthehet në arkivol në shtëpinë e saj, por në mbrëmjen ë 9 janarit nëna e tre fëmijëve ishte nisir drejt brigjeve italiane për t’u bashkuar me fëmijët, te cilët fatkeqësisht nuk do t’i shohë më kurrë.
Po pse u nisën natën me 6 ballë det tre skafistët me 30 veta në bordin e skafit? Në Vlorë të gjithë të thonë se një banor i bregut nuk do të nisej kurrë me këtë stuhi. Ajo pjesë e veriut, që fatkeqësia i sjell në oborrin e Spitalit të Vlorës për të marrë trupat pajetë, tregon se në Shkodër, ata që marrin përsipër të transportojnë djemtë e tyre, japin garanci se gomonia do të përcillet nga policia dhe për këtë viktimat kanë paguar shtrenjtë.

Gomonia është nisur nga Dhërmiu sapo ka rënë nata. Të mbijetuarit tregojnë se dy motorët janë fikur rreth një orë pas ikjes.
“Një orë e gjysmë kemi ecur me skaf dhe s’kemi ecur më, s’kanë punuar më.”
Gazetarja: Në momentin e parë që u ndodhët mes detit, cili ishte veprimi i parë që ju bëtë?
“ Kemi ndenjur aty, kemi pritur aty.”
Gazetarja: Sa kishit paguar për të hipur në skaf?
“1500 euro.”
Gazetarja: Sa veta ishit në skaf?
“30.”
“Prishja e motorrit të skafit, dhe në atë moment u mbush skafi me ujë dhe filluan vdekjet e njerëzve.”
Gazetarja: Sa njerëz kanë vdekur në skafin tuaj?
“Kanë vdekur rreth 18.”
Gazetarja-Vajza?
“Vajza dhe dy gra.”
Gazetarja-Kishte fëmijë?
“Jo, s’kishte fëmijë, ishte një moshë e re, 16-vjeçare.”
Pa shpresë, në mes të detit, 20-vjeçarët kanë telefonuar sërish të afërmit, për t’i ngushëlluar për vdekjen e tyre tashmë shumë afër.
“ Na kanë marrë edhe njëherë, na kanë marrë prap mbrapa, na kanë thënë që ne jemi duke u mbytur, por juve mos u mërzisni, nga ai moment, nuk, s’kemi…”
Policia e Vlorës ka dhënë alarmin se në radarë është dalluar gomonia vetëm pas telefonatës publike të skafistit, ku kërkohej ndihmë. Po kush i detyron këta të rinj të zbresin nga Malësia në Vlorë për të kaluar detin? Në oborrin e spitalit, presidenti duhet të dëgjojë realitetin e hidhur të pjesës më në skamje të vendit.
“Kam dalë të jetoj se këtu s’ka asnjë lloj garancie të rri në tokën shqiptare, asnjë lloj garancie s’ka.”
Alfred Moisiu: “Kjo është një fatkeqësi që ka ndodhur.”
Gazetari: S’është hera e parë që ndodhin fatkeqësi të tilla.
Alfred Moisiu: “Keni shumë të drejtë dhe ashtu është.”
“ U bë deti lapidar, rrugët lapidar, s’po kemi ku t’ia mbajmë.”
Alfred Moisiu: “Keni shumë të drejtë, keni shumë të drejtë. Ngushëllimet e mia!”
“Faleminderit!”
Nëse nuk do të kishte tragjedi, shteti shqiptar, sot, do të deklaronte se me sukses sot i ka dhënë fund trafikut nëpërmjet skafeve, ndërsa në 10 janar 2004 edhe kreu i shtetit duket se mendon njësoj si qytetarët.
Alfred Moisiu: “Prokuroria duhet ta organizojë thellë këtë problem, se të nisesh nga Shkodra dhe të vish këtu, pa u diktuar, kjo tregon që edhe hetuesia jonë edhe zbulimi ynë po tregon që këtu ka një organizim të sofistikuar, që nga veriu në jug dhe ky është një krim, krim i madh, krim i cili duhet dënuar me ashpërsinë më të madhe. Këta njerëz që shikojnë vetëm fitimin dhe s’duan t’ia dinë për jetën e njerëzve këta janë bisha.”/tvklan.al