Një dritare e re për të rinjtë krijues nis pranë ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, një nga programet më transformuese për industrinë kreative në Shqipëri, “Tirana Training Center”.

Marrëveshja u nënshkrua mes Ministrit të Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja dhe Filip Gilpin, CEO i Institutit Catalyst. Ky është një projekt që mbështetet financiarisht nga ambasada amerikane.

Kryeministri Edi Rama tha se kjo qendër do të shërbejë si një urë lidhëse mes industrisë krijuese dhe tregut ndërkombëtar të botëror, si Netflix, Warner Brothers dhe të tjera.

“Edhe kjo është një nga ato gjëra që do të ishin të paimagjinueshme deri disa vite më parë dhe faktikisht Shqipëria sot ka kaluar në një fazë ku ndryshe nga disa vite më parë, shprehja më e natyrshme dhe përshkrimi ndoshta edhe jo fort i gabuar i realitetit do të ishte dhe ishte ‘’këtu s’bëhet asgjë dot’’, në shprehjen “çdo gjë këtu është e mundur” dhe vërtetë sot në Shqipëri sot çdo gjë është e mundur. Jam jashtëzakonisht optimist se të gjithë ata, të cilët do të vijnë, falë edhe këtij programi në Shqipëri për të parë mundësitë, do të mbeten me sytë mbrapa, kur i thonë fjalës”, tha Edi Rama.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se në këtë qendër do të mundësohet  trajnimi i 400 studentëve njëkohësisht, në fusha si aktrimi, regjia, animacioni, prodhimi, etj.

“Këtu së pari duam të stimulojmë krijimin e një dege të re të arsimit profesional që lidhet drejtpërdrejtë me fushën e filmit dhe të ekranit, përfshirë të gjithë komponentët e saj. Ky do të jetë një investim i vyer në edukimin dhe formimin e brezave të rinj që do të kontribuojnë në këtë industri sfiduese dhe konkurruese që duhet të ecë me hapat e kohës”, tha Blendi Gonxhja.

Sipas Gonxhes, hapja e kësaj qendre është një ftesë për studiot më të mëdha amerikane për të eksploruar peizazhet dhe mundësi shesh xhirimesh apo investimi në Shqipëri.

Klan News