Pezullohet nga detyra shefi i qarkullimit për Tiranën Krenar Ahmetaj. Vendimi për pezullimin e tij është shpallur gjatë një seance të stërzgjatur nga gjyqtarja Majlinda Doga. Rreth orës 11 të paradites, shefi i qarkullimit bashkë me avokatin e tij mbrojtës Agron Gurabardhi, kanë zënë vend në katin e dytë të Gjykatës së Tiranës në pritje të nisjes së seancës, që do të përcaktonte një masë sigurie për Ahmetaj.
Kallëzimi penal që prokurorja e krimeve të rënda Elisabeta Ymeraj dhe ish-oficeri i policisë Hasan Nezaj, patën depozituar në organin e Prokurorisë së Tiranës, ndaj policit rrugor është mbyllur me pezullimin e Krenar Ahmetaj nga detyra deri në përfundim të hetimeve.
Komisar Krenar Ahmetaj, ka preferuar t’i shmanget kamerave dhe prononcimeve lidhur me këtë padi penale dhe akuzave që organi i prokurorisë ka ngritur ndaj tij. Pas një seance maratonë prej 5 orësh Ahmetaj ka dalë në shoqërinë e avokatit pas derës së pasme të godinës gjyqësore, duke mos dhënë asnjë shpjegim publik për akuzat që rëndojnë mbi të. Ndaj tij tashmë ka një dosje penale me kallëzimet e dy shtetasve që akuzojnë shefin e qarkullimit rrugorë për veprime arbitrare dhe fyerje./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani
Operator: Ben Haxhia