Sprinti i së hënë në bursa duket se zgjati pak. Në Azi dhe Europë fitimet ishin të konsiderueshme, por euforia u shndërrua në ankth në kryeqendrën financiare të New Yorkut.
Ndërsa fitimet e një dite më parë për dy treguesit Dow Jones dhe Nasdaq ishin magjepsëse, të martën u regjistruan humbje deri në minus 2%. Efekt domino i menjëhershëm u regjistrua në bursat Europiane. Që pas fitimeve kolosale të së hënës patën një luhatje të lehtë, por askund pranë minusit.
Befasuese ishin rezultatet në tregun e Tokios pas mbylljes me një limit plus prej 14.15 %. Bëhet fjalë për fitimin më të madh të një ditë në tërë historinë 58 vjeçare të kësaj burse.
Pavarësisht kësaj balance të brishtë, duket se plani Europian i shpëtimit po jep frytet e para të sigurisë dhe besimit në sistemin financiar. Të njëjtin shembull të aleatëve të tij ndoqi presidenti amerikan George Bush. I cili sot në një konferencë për shtyp lajmëroi injektimin e 250 miliardëve të parë për blerjen e aksioneve të bankave në vështirësi.
Me fazën e parë të implementimit të planit 700 miliard dollarësh tha Bush mund të ndihmojmë edhe bankat e shëndetshme. Të japin sërish hua dhe të çelin rrugën drejt stabilitetit financiar.
Por ekonomistët thonë se ndërsa rreziku imediat i sistemit global financiar po largohet, bllokimi i tregut të kredive kërcënon ta çojë ekonominë botërore drejt recesionit./tvklan.alGazetare: Urita Dokle