Kërcënimi që vjen nga Irani, veçanërisht pas anulimit të pak ditëve më parë të marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore, detyroi Mike Pompeo të ndryshojë axhendën e tij në turin e parë europian si Sekretar i Shtetit.
Kryediplomati amerikan kishte planifikuar vizitë zyrtare në Moskë. Por fillimisht ai do t’i drejtohet Brukselit, ku do të takohet me vendet firmëtare të marrëveshjes me Iranin. BE është shprehur më herët se qëllimi kryesor është parandalimi i zhvillimit të arsenalit bërthamor.
Por me interes të madh pritet vizita me Presidentin rus Vladimir Putin, e zhvendosur nga Moska në Soçi. “Spiuni kundër Spiunit” dhe “Bridge of Spies” (Ura e Spiunëve) ishin disa nga titujt e mediave të huaja, duke iu referuar të shkuarës në krye shërbimeve sekrete për Pompeon dhe Putin.
Bëhet fjalë për takimin e parë të Sekretarit aktual të Shtetit me Vladimir Putinin. Vizita vjen pak kohë pas përmbylljes së raportit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane, ku prokurori special Robert Mueller, nuk gjeti lidhje direkte mes stafit të Presidentit Trump dhe Moskës.
Tv Klan