Presidenti Bamir Topi ka deklaruar nga Zagrebi ku gjendet për vizite zyrtare se e sheh me shumë optimizëm rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasi sipas tij gjatë këtyre viteve Shqipëria është angazhuar në plotësimin e standardeve dhe ndërmarrjen e reformave për t’u anëtarësuar në BE.

Në fjalën e tij Topi theksoi se ne takimin me homologun kroat, Stipe Mesiç, u diskutua mbi çështje te rëndësishme te interesit te përbashkët, si heqja e vizave mes dy vendeve dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik.

Bamir Topi: “Dëshiroj të ndalem në dy momente mjaft të rëndësishme të bisedimeve tona. Mbi situatën e re gjeopolitike në rajon pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës, nevojat që ky rajon të jetë i qetë në paqe dhe të zhvillohet ekonomikisht. Nga ana tjetër diskutuam edhe njëherë për çështjen e liberalizimit të vizave midis dy vendeve tona.”

Ndërsa presidenti kroat, Mesiç, u ndal tek rëndësia e një objektivi strategjik për të dyja vendet, siç është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. 

Stipe Mesiç: “Dy vendeve tona u mbetet edhe një qëllim i përbashkët strategjik: hyrja në bashkësinë evropiane. Shqipëria e ka paraqitur aplikimin e saj për t’u bërë vend kandidat në Bashkimin Evropian, ndërsa Kroacia është duke zhvilluar bisedime për futjen e saj. Përsa i takon vizave Kroacia duhet ta liberalizojë regjimin e vizave përkundrejt Shqipërisë.”

Ne këtë takim presidenti Topi foli dhe për zgjedhjet e 28 Qershorit, duke shprehur besimin se ato do te jene korrekte dhe do te shënojnë një hap të rëndësishëm drejt demokratizimit të institucioneve./tvklan.al