Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është bërë pjesë e debatit për hapjen e dosjeve të ish bashkëpunëtorëve të regjimit komunist.

I pyetur nga mediat për qëndrimin e tij kreu i shtetit ka preferuar ta komentojë hapjen e dosjeve duke thënë qartazi se ai ka qenë gjithmonë i hapur për ta parë këtë çështje sa më shpejt dhe duke shprehur mendimin se personat që dëshirojnë karrierë, duhet ti nënshtrohen më parë pastërtisë së figurës e më pas në rolin e presidentit ai theksoi se flet vetë përmes dekreteve duke lënë të kuptohet se qëndrimin e tij për projektligjin e mbërritur në kuvend do ta japë vetëm pasi ai t’i propozohet për dekretim.

Bamir Topi: “Në rast se do të më pyesni si politikan gjithmonë kam qenë i hapur për ta për këtë çështje sa më shpejt, në mënyrë sa më profesionale, në mënyrë sa më të gjerë, sa më komplekse dhe natyrisht që ai që kërkon të bëjë karrierë natyrisht që ka disa detyrime parësore dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me pastërtinë morale. Për të folur si president pastaj si president unë flas nëpërmjet dekretit.”

Presidenti i Republikës i bëri këto deklarata pas një vizite në shtëpinë e të moshuarve në kryeqytet ndërsa nuk pranoi të bënte komente të tjera mbi projektligjin për hapjen e dosjeve.

Bamir Topi: “Unë në natyrën time nuk bëj koment mbi komente, por duke qenë gjithmonë n në një pozicion respekti ndaj medias dhe transparencës publike do ju bëja thirrje ti ktheheni arshivës, secila nga mediat ka arkivin e vet dhe aty do të gjeni të gjitha deklaratat e mia për sa i përket çështjes së dosjeve.”/tvklan.al