Me kërkesën e mazhorancës presidenti i republikës ka pritur në një takim, i cili ka zgjatur plot 120 minuta, kryetarin dhe nënkryetarin e grupit parlamentar demokrat.
Astrit Patozi dhe Ilir Bano u zgjodhën nga kryeministri Berisha për të negociuar me kreun e shtetit për dekretet e tij të fundit për emrat e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
Pas takimit Patozi nuk ka dhënë asnjë detaj mbi atë që u diskutua me zotin Topi. Në deklaratën e tij të shkurtër përpara gazetarëve Patozi tha se takimi ishte i hapur dhe miqësor.
Gazetarja: Arritët ndonjë marrëveshje me presidentin?
Astrit Patozi: “Unë mund t’ju them me dy fjali që ishte një takim i hapur, miqësor dhe sigurisht institucional. Ne mbetemi që të gjitha problemet politike jemi partizanë të dialogut për të gjitha problemet politike dhe shpresojmë që të gjendet një zgjidhje sa më e pranueshme”.
Ndërkaq mësohet se Patozi dhe Bano i kanë kërkuar presidentit të republikës që në frymën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2005 të fillojnë diskutimet mbi dekretet për pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë, një traditë e vendosur tashmë që duhet të vazhdojë të zbatohet.
Fryma mes palëve është prezantuar pozitive, por megjithatë duket se një takim i dytë mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe kreut të shtetit do të jetë i nevojshëm për t’u arritur një zgjidhje konkrete./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka