Dëshmitarët amerikanë të kërkuar në procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, do të merren në pyetje nga FBI në prezencë të një avokati që përfaqëson këtë të fundit në SHBA.
Në seancën e kësaj të enjte, për të disatën herë avokatët kërkuan që ata të pyeten nëpërmjet videokonferencës.
Por kjo kërkesë nuk u pranua nga gjyqtarja, e cila megjithatë vendosi pro që gjatë marrjes së dëshmisë në Amerikë prezent të ishte edhe një avokat amerikan që mbron interesat e Mediut.
Për mediat, avokati i ish-ministrit, Ardian Visha, tha se provat e deritanishme nuk provonin dot fajësi.
“Asnjëri prej tyre nuk ka referuar asnjë fjalë të vetme kundër subjektit që mbrohet prej nesh në këtë proces dhe në këtë shterpësi të kateve kërkohet që të paktën të ketë një vlerësim të kundërt në aktet e shkruara”, tha ai.
Prej disa muajsh Gjykata e Posaçme është duke dëgjuar dëshmitë e kërkuara në këtë proces, teksa më herët SPAK ka lexuar edhe provat e tjera shkresore me të cilat pretendon të provojë fajësinë e ish ministrit.
Avokatët të cilët i kanë hedhur poshtë ato kanë kërkuar debat gjyqësor mbi vlerën e tyre dhe për këtë arsye seanca u shty për në datën 15 Maj.
Mediu po gjykohet me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec.
Tv Klan