Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Presidenti serb Sllobodan Millosheviç është përgjegjësi numër një për gjakderdhjen në Kosovë. Presidenti i Republikës Mejdani ka përshëndetur sulmet e avionëve të Natos mbi regjimin serb të Millosheviçit. Në mesazhin e tij, presidenti Mejdani ka ftuar të gjithë shqiptarët të ruajn gjakftohtësinë në këët situatë.

Presidenti Rexhep Mejdani:- Ne jemi në këmbë dhe përgatitemi për çdo situatë. Ne e kemi mbajtur vendin tonë jashtë provokacioneve e akuzave që do ta shfokusonin Kosovën si themra e Akilit në rajon. Shqipëria në këtë moment është në mbështetje të të gjitha veprimeve ndërkombëtare për ta zgjidhur konfliktin. Ju ftoj të gjithëve të jemi në lartësinë e këtij momenti historik duke ruajtur gjakftohtësinë, duke zhvilluar kudo ndjenjën e përgjegjësisë qytetare e Kombëtare. Ftoj subjektet politike të evitojnë veprimet e panevojshme dhe të ridimensionojnë luftën politike për çështje që presin. Kosova është problem i problemeve. Le të jemi të denjë për të qenë në një hap me këtë zhvillim të madh. Presidenti i Jugosllavisë së mbetur Sllobodan Millosheviç është përgjegjësi numër një për këtë zhvillim që morën ngjarjet. Ai dhe vendi i tij jo vetëm refuzuan paqen e ofruar nga vendet e grupit të kontaktit në konferencën e Rambujesë, por vazhduan e po vazhdojnë genocidin ushtarako policor në Kosovë kundër një populli tjetër, kundër shqiptarëve ashtu siç kanë bërë gjatë këtij shekulli”.

Presidenti i Republikës Rexhep Mejdani i ka kërkuar kryeministrit Majko, ministrit të Mbrojtjes Hajdaraga, minstrit të Rendit Koçi dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Aleks Andoni, informacion të hollësishëm për gadishmërinë e forcave të armatosura për të përballuar një sulm të mundshëm të serbëve.

Në takimin me kryeministrin Majko dhe ministrat e tij presidenti Mejdani ka kërkuar krijimin e kushteve të favorshme për të pritur fluksin e ri të refugjatëve nga Kosova./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame