Lajme Arkiva 2003

Kryeministri me qeveri të gjymtuar Fatos Nano, nuk ka reshtur nga përpjekjet për të rikuperuar sa më parë humbjen e bujshme në parlament.

Sikur të mos mjaftonte opozita dhe një grup deputetësh socialist, idenë për një dorëheqje të tij e ka gjetur me vend edhe kryebashkiaku Rama dhe rivali për kryetar partie Rexhep Meidani.

Nga ana tjetër edhe Bashkimi Evropian shprehu rezerva për ecurinë e reformave në Shqipëri dhe kërkoi që të plotësohet qeveria me postet e dy ministrave të munguar.

Në një situatë të tillë Nano u takua të premten në mbrëmje me presidentin Moisiu, në kërkim të një interpretimi kushtetues që do ti mundësonte qëndrimin në detyrë të ministrave të dekretuar pasi të kenë bërë betimin nga presidenti pavarësisht votimit në parlament.

Nga ky takim tepër i rezervuar nuk është bërë i qartë qëndrimi i presidentit, por edhe nëse të dyja palët bien dakord që të bëjnë një kapërcim të tillë të krizës, ato mbeten shumë larg zgjidhjes së vërtetë që nuk ka të bëjë me zbulime juridike, interpretime, manovra apo kongrese politike.

Kriza ka një burim real të pakontestueshëm. Qeveria dhe kryeministri Nano nuk gëzojnë mazhorancën parlamentare.

 Çdo anim sado special nga ana juridike vetëm do të shtyjë në kohë krizën që do të bëhet gjithnjë e më e pakontrollueshme.

Për kryeministrin Nano kjo do të ishte kosto e lartë politike ndërsa për presidentin Moisiu, një tjetër pikëpyetje në qëndrimet e tij shpesh herë të ndryshueshme./tvklan.al