Lajme Arkiva 2003

Paratë e mbledhura nga taksat mbi biznesin për rrugën Durrës-Kukës, qeveria i ka përdorur për të mbuluar deficitin buxhetor, bëhet fjalë për një fond prej 5.8 miliardë lekësh, i mbledhur gjatë dy viteve të fundit. Fakti u bë i ditur nga zëvendës ministrja e Financave Adriana Berberi gjatë diskutimit të paketës së re fiskale.

Adriana Berberi: Të shkuarit në një marrëveshje tre vjeçare me FMN-në, që ajo pjesë e fondeve që do të përdoret, atë vit që do të përdoret do të korrigjohet, obligimi që ka qeverie shqiptare mbi atë masë, sepse në vitin që është mbledhur taksa ne kemi realizuar një ulje të deficitit po në të njëjtën masë.

Deputetët e opozitës e quajtën të paligjshëm transferimin e fondit për të mbuluar deficitin. Sipas tyre një gjë e tillë i shërbeu qeverisë, por jo ndërtimit të rrugës.

Robert Çeku: Këtu në këtë Sallë është ngulur këmbë që ne me FMN-në e rregullojmë, ju mos u bëni merak. E rregulluat në një formë tjetër në një formë që i interesonte qeverisë. Tani kemi dy interesa, interesi i qeverisë dhe interesi i rrugës. Të dyja nuk përputhen.

Ylli Bufi: Është thjesht procedurë që po zgjidhet brenda kuadrit ligjor të buxhetit të shtetit.

Paketa e re fiskale parashikon heqjen e taksave të përkohëshme për ndërtimin e rrugës dhe aplikon masa të reja brenda sistemit fiskal. Bëhet fjalë për taksën mbi qarkullimin dhe rritjen e akcizës së naftës./tvklan.al