Lajme Arkiva 2003

Në orën 3-4 të mëngjesit të 29 Nëntorit ’44 janë zhvilluar ende luftime në rrugën Bushat-Shkodër. Partizanët kanë hyrë në 8:00 të mëngjesit në qytete ndërkohë që gjermanët më të fundit janë larguar pak përpara tyre, por në 11 paradite në 29 Nëntor thuhet në libra se gjermanët kanë lënë Koplikun.

Kjo është pak a shumë historia e rivendosjes së pavarësisë që sipas historianëve është Dita e Çlirimit, por edhe pse më shumë se gjysmë shekulli Dita e Çlirimit nga një pjesë njihet 28 Nëntori që përkon me ditën e pavarësisë.

Qytetari 1: 28 Nëntor 1912 Shqipëria fitoi pavarësinë nga perandoria otomane turke.

Gazetarja: Ju çfarë festoni sot?

Qytetari 2: Ne i festojmë të dyja.

Gazetarja: Cila është ajo tjetra?

Qytetari 2: Çlirimi i Shqipërisë.

Qytetari 3: Kjo datë historike përkon edhe me ngritjen e flamurit të Skënderbeut në Krujë, përkon edhe me pavarësinë e atdheut, përkon edhe me çlirimin e atdheut.

Qytetari 4: Unë për veten time njoh vetëm flamurin.

Gazetarja: Po çlirimin kur e njeh?

Qytetari 4: Çlirimin nuk mund ta përcaktoj dot.

Qytetari 5: Festa e Çlirimit, është festa e çlirimit.

Gazetarja: Po 29 Nëntori çfarë është?

Qytetari 5: Këto të dyja i kanë  përzier.

Gazetarja: Ju vetë kur e festoni?

Qytetari 6: Edhe nesër edhe sot.

Qytetarja: Po e dimë, e dimë, po e kemi mendjen këtu tani te këto që shesim, historia tregon se në datë 29.

Në institutin e Historisë tregojnë se gjithçka që kanë bërë për ta bashkuar këtë datë me pavarësinë janë arsyet politike.

Historiani:“Shkodra është çliruar në mëngjesin  e datës 29 Nëntor. Forcat e para partizane kanë hyrë në qytet në orën 8:00 të mëngjesit. Atëherë kanë filluar të hyjnë në orën 7-8 të mëngjesit. Forcat armike e lanë Shkodrën më përpara, kaluan në një shteg drejt Koplikut dhe në orën 11:00 ata kanë qenë në Koplik dhe nga 12:00 kanë kaluar kufirin për në Malin e Zi, ky është fakti historik, i provuar. Ke dokumentacionin gjerman vetë gjermanët në dokumentet e tyre, i kemi në arkivin tonë këtu e deklarojnë  në ditarin që shkruajnë, në relacionin që i drejtojnë komandës së tyre në Berlin. Më vjen keq, është një datë që duhet të na bashkojë. Në qoftë se ka datë që duhet të jemi të bashkuar të një mendimi, të një qëndrimi, është pikërisht 28 Nëntori, Dita e shpalljes së Pavarësisë dhe 29 Nëntori dita e rivendosjes së kësaj pavarësie. Duke i bashkuar në një datë këto dy ngjarje, që nuk mund të bashkohen, se nuk kanë ndodhur njëlloj, atëherë synimi është që të zbehet sa të jetë e mundur 29 Nëntori, që të zbehet sa të jetë e mundur kjo datë lapidar. Pra qëllimet janë vetëm politike dhe jo shkencore, historike”./tvklan.al