Gjatë qëndrimit në Bruksel kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kreun e ri të NATO-s, Mark Rutte.
Teksa ka postuar foton me shefin e NATO-s, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi atë një mik të tijin dhe mbështetës të Shqipërisë.
“Me mikun e veçantë dhe tanimë mbështetësin e paepur të Shqipërisë, Mark Rutte, në takimin e parë me të si Sekretar i Përgjithshëm të NATO-s, pas 14 vjetësh në krye të qeverisë hollandeze”, shkruan kryeministri përkrah fotos me Rutte.
Një takim të veçantë kryeministri e pati me ekipin ushtarak dhe civil të Misionit të Shqipërisë në NATO si edhe me shqiptarët që punojnë në zyrat qendrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë vlerësoi kontributin e grave e burrave që përfaqësojnë vendin me punën e tyre.
“Kjo, pa dyshim është një arsye krenarie e vendit tonë përmes një gjenerate që sot është jo vetëm protagoniste në Shqipëri ku ka shkëlqyer në të gjithë procesin jashtëzakonisht kompleks për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE, por edhe jashtë Shqipërisë, ku një sërë prej jush shkëlqeni pa dyshim si pjesë e stafit ndërkombëtar të NATO-s ku jeni zgjedhur pa asnjë kushëri, s’besoj se keni nxjerrë ndonjë kushëri në Finlandë ose në Holandë, pa asnjë parti, se këtu e vetmja parti që u bashkon që të gjithë këto kombe, shtete, shoqëri është partia e vlerave të demokracisë të lirisë dhe të një sigurie që garanton këto vlera.”
Përmes punës së këtyre përfaqësuesve, Rama tha se ka ndryshuar edhe qasja e ndërkombëtarëve ndaj Shqipërisë.
“Qasja e tyre në raport me ne ka ndryshuar ndjeshëm si rezultat i shumë gjërave që shihen nga larg, por jam i bindur që ka ndryshuar edhe si rezultat i një volumi kontaktesh të drejtpërdrejta me ju dhe me të gjithë ata si ju, që në instanca të tjera përfaqësojnë Shqipërinë, ulen në tryeza diskutimesh dhe mbrojnë argumentet që na bëjnë ne të ecim më përpara. Të gjithë ata që janë këtu dhe punojnë për të huajt nuk duhet të çuditen, herët a vonë ne do tu bëjmë propozime për t’u integruar në trupën e shtetit shqiptar me paga të ngjashme. Deri atëherë qëndroni të fortë dhe mbani vendin e punës që e keni fituar me shumë sprova.”
Në këtë takim morën pjesë edhe ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe ai i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Klan News