Kryeministri Edi Rama ka publikuar të dhënat nga Barometri i Organizatës Botërore të Turizmit ku vihet re se Shqipëria kryeson për rritjen më të lartë të vizitorëve ndërkombëtarë.

Rama përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” thekson se 9.7 milion vizitorë të huaj janë futur në Shqipëri për periudhën Janar-Shtator të këtij viti.

Kryeministri u shpreh se këto janë tregues të qëndrueshëm dhe të sigurt se Shqipëria do të vijojë me ritme të mira sa i takon turizmit dhe të ardhurave të gjeneruara prej tij.

“Një tjetër certifikim ndërkombëtar për këtë vit turistik sapo vjen nga Barometri i Organizatës Botërore të Turizmit, ku Shqipëria kryeson në klasifikimin europian për rritjen më të lartë të vizitorëve ndërkombëtarë dhe renditet e dyta në botë pas Katarit të Kupës së Botës, teksa një “medalje e artë” na akordohet edhe sa i takon arkëtimeve nga turizmi, me rritjen më të lartë krahasuar me periudhën e para pandemisë. 9,7 milionë vizitorë të huaj nga janari në shtator të vitit 2024 dhe një diversitet i larmishëm tregjesh turistike në rritje, janë tregues të qëndrueshëm, por të sigurt se Shqipëria do të vazhdojë t’i mbushë muret me certifikata të tilla suksesesh ndërkombëtare, që përkthehen në më shumë të ardhura për bizneset, punësim për familjet dhe imazh pozitiv ndërkombëtar për Shqipërinë tonë, që as mund të imagjinohej pak vite më parë”, shkruan Rama në Facebook.

/tvklan.al