“Tragjedi për botën demokratike!”, kështu e ka cilësuar kryeministri Edi Rama atentatin ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Në postimin e tij në rrjetin social “X”, ai shkruan: Është shqetësuese të dëshmosh që një kandidat për President të Shteteve të Bashkuara të qëllohet duke folur në një tubim dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur mes disa të tjerëve që janë plagosur. Kjo është një tragjedi për botën demokratike. Mendimet e mia janë me ish-presidentin Trump dhe familjen e tij. Ne të gjithë shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës.


Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi të Shtunën teksa Trump po mbante fjalim para zgjedhësve në Pensilvani.

Ishte një 20 vjeçar ai i cili qëlloi disa herë me armë në drejtim të tij, duke e plagosur në veshin e djathtë. Siç raportojnë mediat e huaja, Trump ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa një person i cili po merrte pjesë në tubim ka ndërruar jetë. Atentatori është ekzekutuar në vend menjëherë pasi qëlloi. /tvklan.al