Me urdhër të gjykatës, SPAK i ka sekuestruar pronat dhe asetet vëllezërve Franc e Hajdar Çopja.

Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Posaçme informon se ka sekuestruar 10 milionë Dollarë kriptovaluta.

Zbulimi i këtyre vlerave u bë falë bashkëpunimit me një kompani globale të njohur në menaxhimin e kriptovalutës ‘stablekoin’ si dhe një exchange të njohur në rang botëror, i cili menaxhon asete të ndryshme kriptovalutash.

SPAK thotë se u sekuestrua një shumë e madhe parash cash, në valuta të ndryshme dhe lekë në një vlerë totale mbi 1 milion Euro. Në emër të dy të afërmve të vëllezërve Çopja u vendos sekuestro preventive në katër llogari bankare me vlerë 132 mijë Euro.

Janë sekuestruar gjithashtu disa pasuri të paluajtshme, 3 vila në zonën e Farkës në Tiranë, sipërfaqe toke në Kavajë, në Qeparo dhe Elbasan, garazhe dhe një operator ekonomik.

Franc Çopja ndodhet në burg në Belgjikë për llogari të autoriteteve të huaja. Në këtë shtet ai u ekstradua nga Dubai ndërsa i vëllai i tij Hajdar Çopja vijon të ndodhet në Dubai.

SPAK i akuzon ata për 4 atentate me 6 viktima dhe trafik ndërkombëtar droge.

Klan News