Pak orë pas hyrjes në fuqi të kushtetutës së Kosovës më 15 qershor, Departamenti Amerikan i Shtetit ka përshëndetur popullin dhe qeverinë e Kosovës. Kjo Kushtetutë, thuhet në një deklaratë të Departamentit amerikan të Shtetit, mishëron aspiratat dhe vendosmërinë e qytetarëve të Kosovës për të krijuar një shtet demokratik e shumë etnik, që të jetë plotësisht i integruar në komunitetin euroatlantik.
Shtetet e bashkuara u bëjnë thirrje udhëheqësve të Kosovës të punojnë për të vënë në zbatim parimet themelore të kushtetutës, për të sjellë përmirësime të ndjeshme në jetën e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Nga ana e tij Presidenti amerikan në një letër drejtuar dy dhomave të kongresit ka udhëzuar pjesëmarrjen e forcave të SHBA në operacionet ushtarake në Kosovë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës.
Ndërsa për të dërguarin special i BE për Kosovën Pieter Feith, që prej 15 qershorit ka nisur një periudhë e re për shtetin e ri. Sipas tij EULEX do të fillojë dislokimin dhe deri në tetor të këtij viti, ai do të jetë tërësisht operues./tvklan.al
Gazetare: Justina Ukaliaj