Arlind Bushati, i cili mbeti më herët i plagosur rëndë si pasojë e atentatit në Shkodër, ka ndërruar jetë në orët e mbrëmjes në spital.
“Në vijim të informacioneve të dhëna më parë për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër, si pasojë e plagëve të marra edhe shtetasi Arlind Bushati, 32 vjeç”, njoftoi policia.
Arlind Bushati, 32-vjeç, është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidati të PD për Bashkinë e Shkodrës 2 vjet më parë.
32-vjeçari, në fillim të këtij muaji denoncoi në polici se dy persona që lëviznin me motor i kishin drejtuar armën teksa ndodhej në pedonalen e Shkodrës. (Lexo më shumë).
Ky lajm i trishtë rëndon bilancin nga atentati në Shkodër. Në vendin e ngjarjes nga të shtënat në Dobraç humbi jetën edhe Hamza Lici. Ky i fundit bashkë me Bushatin ishin në një makinë tip “Benz”.
Si pasojë e atentatit Hamza Lici dyshohet se ka humbur kontrollin e makinës dhe është përplasur me një motor.
Aty udhëtonin bashkëshortët Bashkim dhe Flutura Basha. Kjo e fundit mori plagë të rënda dhe ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje. Ndërkohë Bashkim Basha vijon që të jetë në spital, në gjendje kritike për jetën./tvklan.al