Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Çështja ende e pazgjidhur e ligjit për pronat ka nxehur më shumë debatet mes qeverisë dhe deputetëve të opozitës. Republikanët kanë fajësuar qeverinë se edhe pas tryezës së partive politike në presidencë, po lënë pas dore zgjidhjen e kësaj çështje.

Sipas deputetit Maks Begeja, qeveria nuk ka saktësuar akoma sipërfaqet e lira të pronave private që mund të kthehen, apo pronat shtetërore, që mund të përdoren për kompensimin fizik të ish-pronarëve dhe të bëjë më pas saktësimin e fondeve të nevojshme për kompensimin monetar, sipas çmimeve të tregut.

Maks Begeja:- “Këto të dhëna, megjithëse ka kaluar mbi një vit, qeveria nuk i disponon, përkundrazi dhe ato që ajo ka paraqitur në komisionin e posaçëm parlamentar, janë të pasakta dhe në mjaft raste fiktive”.

Republikanët nuk pajtohen as me qëndrimin e qeverisë, sipas së cilës, problemin e pronarëve të ngujuar të tokave të përmbytura nga liqeni i Fierzës, do ta zgjidh ligji për pronat. Partia Republikane, i ka kërkuar KLSH, të bëjë transparencën se ku kanë përfunduar 3.5 miliardë lekë të akorduara, që nga viti 97, për kompensimin e të përmbyturve nga liqeni i Fierzës./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço