Puna në të zezë në Shqipëri rezulton të jetë thelluar edhe më tej përgjatë vitit 2023.
Sipas të dhënave zyrtare të Inspektoratit të Punës, në krahasim me një vit më parë vihet re një rritje e numrit të punëmarrësve informal të konstatuar gjatë inspektimeve me rreth 9%.
Shumica e punonjësve të padeklaruar janë në Hotel-Bar-Restorante si dhe ndërtim.
Ekspertët e punësimit e arsyetojnë këtë me punën sezonale që ofrojnë këta sektorë.
“Të dy sektorët pavarësisht se janë në një bum këto vitet e fundit, duhet thënë se janë punë sezonale. Sezonaliteti i punëve gjithmonë ka informalitet. Një person i cili punon dy-tre muaj nuk ka interes që të paguajë sigurime shoqërore dhe tatim mbi të ardhurat personale”, thotë Erald Pashaj, ekspert punësimi.
Sigurimi i punonjësve me pagë minimale mbetet po ashtu shqetësuese, pasi rezulton se përbëjnë 20% të totalit të punëmarrësve të evidentuar në punë.
“Një humbës i madh është tregu, sepse informaliteti dëmton konkurrencën, bizneset e drejta se nuk janë të gjithë informalë”.
Zgjidhja sipas ekspertit të punësimit duhet parë tek sensibilizimi i punonjësve.
“Janë disa element që nuk zgjidhen më me kontrolle. Mendësinë e një popullate është gjëja më e vështrië që ta ndryshoh, por duhet të punojmë pak nga pak me ndërgjegjësimin dhe sjelljen e tyre përkundjejt punës dhe rregullit”.
Më herët një studim i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik nxorri në pah se puna në të zezë në Shqipëri është më e përhapur tek punonjësit me paga të ulëta.
Tv Klan