Shërbimi i Sigurisë Federale në Rusi (FSB), thotë se ka arrestuar dy persona, të cilët po planifikonin të kryenin sulme terroriste në Moskë më 1 shtator, në ditën e parë të vitit shkollor.
Në deklaratën e lëshuar, FSB thotë se bomba të bëra në kushte shtëpie, janë gjetur në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, i cli, siç thuhet në deklaratë, ka pranuar se ka planifikuar të kryejë sulm vetëvrasës.
Aty po ashtu thuhet se i dyshuari tjetër ka publikuar një video në internet, ku i është betuar për besnikëri grupit militant Shteti Islamik. FSB ka thënë se i dyshuari po ashtu ka thënë se po planifikon të sulmojë civilët me një armë të ftohta.
Një video e FSB-së, e transmetuar në median shtetërore ruse, shfaq një person që thotë se kishte planifikuar të bëj “xhihad”, duke kryer një sulm me bombë në bazë të “urdhrit të Shtetit Islamik”.
FSB ka thënë se dy të arrestuarit janë nga Azia Qendrore por nuk kanë specifikaur se nga cili shtet. Po ashtu, në deklaratën për media nuk thuhet se a ka pasur lidhje direkte në mes të dy personave të arrestuar.
Megjithatë, lajmi për arrestimin e dy të dyshuarve në Rusi nuk është konfirmuar menjëherë. Autoritetet ruse shpesh raportojnë se kanë parandaluar sulme terroriste, para ngjarjeve të mëdha publike apo para festave. Dita e parë e shkollës, përkon me festën islame të Kurban Bajramit. /REL