Qeveria ka miratuar projektligjin mbi caktimin e fondit për kompensimin e pronareve.

Kryeministri Berisha tha se qeveria ka zgjedhur formën me te vështirë te kompensimit qe është ajo me vlerën e tregut, por theksoi se kthimi i pronës ne kompensim fizik apo financiar është detyrim kushtetues po aq sa edhe moral.

Këtu kryeministri kujtoi token ne qendër te Tiranës, ne kryqëzimin mes rrugës se Durrësit dhe Kavajës, paratë nga shitja e se cilës me ankand, do te shkojnë tërësisht për kompensimin e ish pronareve.

Sali Berisha: “Ankandi duhet të jetë për metër katrorë ndërtimi se kështu arrihet vlera më maksimale, natyrisht në përputhje me urbanistikën e qytetit dhe e ftoj zotin Rama që del në konferencë shtypi e ka mbajtur një vit planin dhe tani thotë nuk e merr. Ta sjellë sa më shpejt dhe t’ia miratojmë në mënyrë që të mos krijojmë alibira të kota se e mbajti planin e rregullimit një vit e gjysmë tani e ka miratuar para dy javëve dhe del dhe bën, thotë po e bllokon KRRTSH-ja qendrore, pra në përputhje me planin urbanistik ne duhet të gjejmë mënyrën e fitimit maksimal dhe kjo e tëra do shkojë në fondin e pronarëve, por si kjo mund të ketë dhe raste të tjera analoge të cilat qeveria duhet të autorizohet me ligj të procedojë.”

Qeveria miratoi dhe projektligjin për krijimin e strukturave për administrimin e tokës. Berisha ngriti si shqetësim faktin se për shkak  te ngrohjes globale sipërfaqe te mëdha toke po përpihen nga deti.

Sali Berisha: “Dhe në këtë ligj duhet të parashikohet mbrojtja e tokës si pasojë e ngritjes së detrave me praktikat më të mira të mundshme, përndryshe ne do humbim shumë tokë në gjirin e Drinit, do humbim tokë në Divjakë, do humbim tokë në Golem dhe në të gjithë ultësirën bregdetare.”

Qeveria miratoi vendimin për ngritjen dhe funksionimin e qendrës ndërinstitucionale detare që do t’i shërbejë kontrollit të kufijve, një nga kushtet e rëndësishme te udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Gjate mbledhjes se këshillit të ministrave Berisha theksoi jo për here te pare se qeveria që drejton mbetet e vendosur te mos rrisë tarifat për universitetet.

Sali Berisha: “Nuk duhet të ketë asnjë shtim zoti ministër në tarifa. Tarifa për të gjithë ata që janë të varfër, në ndihmë ekonomike, do të jetë e paguar nga shteti”.

Duke u ndalur te arsimi Berisha foli për inkurajim te universitetet private për hapjen e degëve te IT, si pjese e projektit kryesor te qeverise, Shqipëria ne moshën digjitale./tvklan.al