Gjermania rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme, vetëm pak muaj para afatit të rregullt të mbajtjes së tyre. Shkak është bërë largimi nga koalicioni qeverisës i Partisë Demokrate të Lirë, partnerit tjetër të vogël të socialdemokratëve krahas të gjelbërve.

Mbrëmjen e Mërkurës, kancelari Olaf Scholz shkarkoi ministrin e Financave Christian Lindner, lider i Demokratëve të Lirë, pas tensioneve çështjen e deficitit buxhetor.

“U detyrova ta ndërmarr këtë hap për të shmangur dëmin që mund t’i bëhej vendit”, tha Scholz.

Vendimi u mor pasi ministri i Financave refuzoi urdhrin e kancelarit që të heqë të ashtuquajturin “freni i borxhit”, një kufizim ligjor që lejon shpenzime buxhetore vjetore jo më të larta se 0.35% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nëse ekonomia nuk ka rritje siç ndodh prej 2 vitesh me Gjermaninë.

Lindner propozoi si zgjidhje reduktimin e shpenzimeve për politikat e gjelbra dhe ndihmat sociale për emigrantët, çka u refuzua nga kancelari.

“Këtë nuk mund ta bëja pasi do të thyeja betimin që kam bërë për këtë post”, tha Scholz.

Scholz tha se do të kërkojë një mocion votëbesimi në Janar, me qëllim krijimin e një qeverie minorance deri në zgjedhjet e planifikuara në Shtator.

Por presidenti Frank-Walter Steinmeier u shpreh se nuk priste që qeveria të qëndronte aq gjatë dhe se me shumë gjasa do t’i duhej të shpallte zgjedhje të parakohshme.

Tv Klan