Kancelari gjerman Olaf Scholz i kërkoi të premten presidentit rus Vladimir Putin që të tërheqë forcat e tij nga Ukraina dhe të fillojë bisedimet me Kievin për t’i hapur rrugën një “paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”. Kjo është biseda e tyre e parë telefonike në gati dy vjet.
Kremlini konfirmoi bisedën, për të cilën tha se ndodhi me kërkesë të Berlinit dhe shtoi se Putini i tha Scholz-it se çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet të marrë parasysh interesat ruse të sigurisë dhe të pasqyrojë “realitete të reja territoriale”. Putin foli gjithashtu për një “degradim të paprecedentë” në marrëdhëniet midis dy vendeve, për të cilin ai fajësoi veprimet jomiqësore të Gjermanisë, tha zëdhënësi Dimitry Peskov.
“U theksua se Rusia ka përmbushur gjithmonë në mënyrë rigoroze traktatet dhe detyrimet kontraktuale në sektorin e energjisë dhe është e gatshme për bashkëpunim reciprokisht të dobishëm nëse pala gjermane tregon interes për këtë.”
Një zëdhënës i qeverisë gjermane tregoi anën tjetër të recptorit.
“Kancelari i kërkoi Rusisë të tregojë gatishmëri për të hyrë në bisedime me Ukrainën me qëllim arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”. Ai theksoi vendosmërinë e pandërprerë të Gjermanisë për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shtoi zëdhënësi.
Mësohet se Putini i tha Scholz-it që bashkëpunimi mes dy vendeve të fokusohet tek energjia. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy e paralajmëroi Scholz-in që të mos i telefonojë me Putinit, pasi sipas tij një gjë e tillë do të hapë Kutinë e Pandorës.
“Kjo do të sjellë edhe telefonata të tjera. Kjo është pikërisht ajo që Putini ka kërkuar prej kohësh: Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të dobësojë izolimin e tij, izolimin e Rusisë”.
Mbetet e paqartë pse kancelari Scholz zgjodhi të flasë tani me Putinin, por telefonata vjen në sfondin e vështirësive për Ukrainën në fushën e betejës dhe rritjes së shqetësimeve midis aleatëve perëndimorë të Kievit për planet e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për Ukrainën.
Klan News