Republikanët hedhin poshtë kërkesën e demokratëve
Senati amerikan bllokoi përpjekjet e ligjvënësve demokratë për të sjellë dëshmitarë në procesin gjyqsor ndaj Presidentit Donald Trump. Në Dhomën e Lartë të Kongresit të kontrolluar nga republikanët, të 53 perfaqësuesit e kësaj partie votuan kundër amendamentit të demokratëve, ku kërkohej paraqitja e dëshmitarëve dhe dokumenteve në sallë. Ndërsa 47 demokratët e pakicës votuan pro.
Drejtuesja e grupit të demokratëve nga Dhoma e Ulët, që luajnë rolin e prokurorëve në këtë proces, akuzoi republikanët se janë vënë në shërbim të Trump duke humbur paanshmërinë e gjykimit.
“E vetmja arsye që nuk i kemi këta dëshmitarë dhe dëshmite e tyre është se Presidenti ka urdhëruar administratën, përfshirë Sekretarin Pompeo, për t’i fshehur ata”.
Tashmë që Senati përjashtoi mundësinë e marrjes së dëshmitarëve, përballë në procesin gjyqësor do të jenë demokratët e Dhomës së Ulët në rolin e prokurorëve dhe mbrojtësit ligjorë të Presidentit. Trupi gjykues do të përbëhet nga senatorët, të cilët do të lënë mënjanë krahët politikë për të gjykuar në mënyrë të paanshme.
Trump akuzohet se ka shtyrë miratimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën me vlerë 391 milionë Dollarë, për t’i bërë presion Presidentit ukrainas Zelensky të nxisë hetimet për Joe Biden.
Tv Klan