Qytetarët serbë po votojnë më 2 qershor në zgjedhjet lokale në Beograd dhe në 88 qytete dhe komuna të tjera, përfshirë dhe në Luginën e Preshevës.
Partitë shqiptare në Preshevë do të garojnë me gjashtë lista zgjedhore, ndërsa në Bujanoc me katër. Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00.
Përsëritja e zgjedhjeve në Beograd po mbahet njëkohësisht me zgjedhjet lokale në qytetet dhe komunat e tjera, pas kërkesës së opozitës, edhe pse një pjesë e saj ka thënë se do t’i bojkotojë zgjedhjet lokale.
Asnjë palë nuk arriti ta formojë shumicën për Asamblenë e Qytetit në Beograd pas zgjedhjeve që u mbajtën në dhjetor, të cilat u kritikuan ashpër nga vëzhguesit ndërkombëtarë, sipas të cilëve kishte “parregullsi” në zgjedhjet lokale dhe nacionale.
Ato shqetësime u bënë jehonë akuzave nga opozita se partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiç, Partia Progresive e Serbisë (SNS), dhe aleatët e saj, kishin transportuan me autobusë votues posaçërisht në Beograd nga vende të tjera.
Një ndryshim në ligjin për zgjedhje në Serbi mundësoi që rivotimi në Beograd të mbahej njëkohësisht me zgjedhjet lokale në Novi Sad, Nish dhe në qytetet e komunat e tjera të vendit.
Megjithatë, disa grupe opozitare kanë thënë se do ta bojkotojë votimin prapëseprapë, për shkak se, sipas tyre, nuk janë përmirësuar kushtet.
Një grup punues i përbërë nga përfaqësues të pushtetit dhe opozitës u formua në fund të prillit për t’i adresuar disa prej rekomandimeve të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), për përmirësimin e procesit të votimit.
Vëzhguesit e ODIHR do t’i vëzhgojnë zgjedhjet lokale të 2 qershorit në Serbi. Në Beograd, votuesit do t’i zgjedhin 110 anëtarë të Asamblesë së Qytetit për një mandat katërvjeçar, të cilët më pas votojë për emërimin e kryetarit.
Opozita e Bashkuara proevropiane bëri fushatë të madhe para zgjedhjeve në Beograd në dhjetor, me mesazhin marrja e kryeqytetit do të ishte hapi i parë drejt rrëzimit të Vuçiçit dhe aleatëve të tij, të cilët janë në pushtet prej vitit 2012.
Vuçiçi ka lidhur marrëdhënie diplomatike dhe tregtare me Rusinë dhe Kinën, si dhe i ka shpërfillur thirrjet e Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska më 2022./REL