Bllokimi që u ka bërë Serbia boksierëve të Kosovës në kampionatin botëror të boksit në Beograd do të adresohet në Bruksel. Kryeministri Albin Kurti tha se ky veprim i Serbisë shpërfaqi fytyrën e vërtetë të saj.
“Me bllokimin që ua bëri boksierëve tanë Serbia në kufi e shpërfaqi fytyrën e saj si shtet për ata që kanë pasur dilema. Të gjitha këto çështje do të adresohen në Bruksel sepse ne jemi vazhdimisht në komunikim me ta përmes letrave që ua dërgojmë”.
Ai gjithashtu bëri të ditur se nuk ka ndonjë datë të caktuar për takimin e tij të radhës me presidentin serb Aleksander Vuçiç dhe se e tëra varet nga ndërmjetësuesit e dialogut. Ndërsa takimi në mes të përfaqësuesve të shteteve pritet të ndodh në mes të nëntorit.
“Takimi do të mund të ndodhte diku në gjysmën e dytë të nëntorit sa i përket përfaqësuesve të dy shteteve tona ndërkaq sa i përket udhëheqësve të shteteve nuk ka ndonjë datë për këtë gjë por kjo varet në masë të madhe prej lehtësuesit gjegjësisht prej Përfaqësuesit të Lartë Josep Borell dhe Emisarit të tij Lajçak”.
Herën e fundit Kurti e Vuçiç ishin takuar në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Slloveni.
Tv Klan