Emisioni “Stop” ka udhëtuar këtë të premte drejt qytetit të Vlorës, për një problem të qytetarit Aleksandër Duka, i cili është dhe autori i shumë prej pjesëve humoristike të parodistëve të Vlorës.
Aleksandri tregon, se prej 35 vitesh është punonjës në arsim dhe prej 7 vitesh ishte drejtor në shkollën “Ibrahim Kushta”. Ai shton se gjithë këto vite nuk kishte marrë as vërejtjen më të vogël. Por gjithçka nisi me urdhrin e ZVA Vlorë për emërimin e një mësueseje, për të cilën ZVA kërkoi, që të bëhej me kontratë pa afat, por këtë gjë nuk e bën dot drejtori.
Në këto kushte Aleksandër Duka i drejtohet Ministrisë së Arsimit dhe kjo e fundit i jep të drejtë. Drejtoresha e ZVA Vlorë, Alma Bakiu, pranon, se kjo është e drejta e drejtorit, por nuk jep shpjegim për largimin e këtij të fundit dhe kontrollin, që ka ushtruar në shkollë, duke ndërprerë edhe mësimin.
Gazetarja: Po ju drejtorit, pse i keni kërkuar për emërimin e një mësueseje, që ta mbante me vendim? Nëpërmjet kësaj shkresës…
Drejtoresha: Deklarimin e bënte drejtori i shkollës.
Gazetarja: Ju pse ia keni kërkuar? Me këtë shkresë, që nuk mbështetet në asnjë ligj, në asnjë nen.
Drejtoresha: Jeni duke e interpretuar gabim atë, që keni në dorë.
Gazetarja: Nëse ti më thua, që ka një nen, apo ligj këtu…
Drejtoresha: Jeni duke e interpretuar gabim, zonjë.
Gazetarja: Pse?
Drejtoresha: Sepse udhëzimi 13 është shumë i qartë. Nëse një vend përcaktohet si vend i lirë, i lënë nga një mësues, që është larguar për arsye të tij, atëherë mësuesi, që e merr atë vend të lirë, gëzon të drejtën, për të patur një afat të pacaktuar. Është e para në portal dhe i takonte me ligj.
Gazetarja: Pse nuk ia keni arsyetuar drejtorit me ligj?
Drejtoresha: Ia kemi arsyetuar drejtorit me ligj.
Gazetarja: Ku?
Drejtoresha: Drejtori mund t’ju ketë paraqitur një prej shkresave të shumta, që ne i kemi bërë.
Gazetarja: Atëherë, pse Ministria nuk ju ka dhënë juve të drejtë, po ia ka dhënë drejtorit?
Drejtoresha: Ministria i ka dhënë të drejtë drejtorit?
Gazetarja: Po!
Drejtoresha: Po, pra. Është kompetencë e drejtorit, për ta bërë këtë gjë, jo e imja.
Gazetarja: Po ju, pse e keni nisur shkresën?
Drejtoresha: Sepse drejtori ka kërkuar hollësira.
Gazetarja: Nuk ka qenë një urdhër, që i keni bërë drejtorit, për ta mbajtur mësuesen?
Drejtoresha: Nuk është urdhër. Po ta interpretosh ligjërisht, mund ta kuptosh, që është kompetencë e drejtorit, për ta përcaktuar këtë gjë.
Nga ana tjetër drejtori i shkollës Aleksandër Duka tregon se drejtoresha e ZVA ka kryer dhe shkelje të tjera, duke nxjerrë të gjithë nxënësit nga klasat dhe ka bërë kontroll të jashtëligjshëm.
Gazetarja: Tani pyetja e fundit, që kam në lidhje me këtë shkollë, është që ju keni bërë një kontroll në atë shkollë, apo jo?
Drejtoresha: Unë? Jo!
Gazetarja: Nuk keni shkuar ju?
Drejtoresha: Kam shkuar, por nuk është kontroll ai.
Gazetarja: Çfarë?
Drejtoresha: Është monitorim.
Gazetarja: Po, monitorim. Si bëhet monitorimi, sipas jush?
Drejtoresha: Me një platformë të paralajmëruar dhe duke iu përmbajtur zërave të platformës.
Gazetarja: Që do të thotë, që ju i nxirrni nxënësit nga mësimi?
Drejtoresha: Jo, jo! Asgjë të vërtetë nga këto, nuk ka.
Gazetarja: Nuk ka asgjë të vërtetë? As që i bëni gjyqin drejtorit në sy të mësuesve?
Drejtoresha: Jo!
Gazetarja: Nuk ia keni bërë?
Drejtoresha: Jo! Asnjë lloj gjyqi! Ka qenë pushimi i gjatë, ndërkohë që unë kam folur me mësuesit.
Gazetarja: Sa kohë i keni mbajtur aty?
Drejtoresha: Vetëm 10 minuta.
Nga ana tjetër, lidhur me këtë rast Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit, shprehet, se kjo nuk duhet bërë për asnjë arsye, pasi cenon mbarëvajtjen e procesit mësimor. Pas Ankesës së ZVA në DRAP Fier, është ngritur një grup inspektimi, ku për 7 orë janë kontrolluar dokumentet./tvklan.al