Të gjithë e njohim si foton gjatë shpalljes së pavarësisë, por e vërteta është shumë më ndryshe. Në fakt ajo që shumica e njerëzve e konsiderojnë si fotografi të shkrepur gjatë shpalljes së pavarësisë është bërë në vitin 1913, një vit pas shpalljes së pavarësisë gjatë festimeve atë kohë.
Blendi Fevziu sqaroi ditën e sotme në emisionin “Opinion”, se ditën e pavarësisë delegatët janë mbledhur në një shtëpi tjetër, atë të Vlorajve, e cila sot nuk ekziston më.
“Një keqkuptim i vazhdueshëm historik në Shqipëri, për të cilën në fakt peng i të cilit kemi qenë dhe ne është momenti i shpalljes së pavarësisë me fotografitë e bëra me rastin e 1-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Janë menduar gjithmonë si moment i shpalljes së pavarësisë, por në fakt kjo fotografi e famshme që është menduar si fotografi e shpalljes së pavarësisë i takon festimeve të 1-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Shtëpia ku është ngritur flamuri nuk ekziston më, ajo ndodhej në sheshin e sotëm të flamurit në Vlorë. Janë sarajet e Vlorajve që përbëheshin nga 3 godina”, tha Fevziu./tvklan.al