Presidenti dekretoi 11 Majin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës, që është dhe e diela e fundit e periudhës zgjedhore të parashikuar në Kodin Elektoral.

Kjo ishte data e propozuar dhe nga socialistët, por dhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që kërkonte më shumë kohë në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës për votën e emigrantëve dhe votimin elektronik.

Presidenti në njoftimin e shpërndarë për mediat që lajmëroi dekretin tha se pikërisht nga kërkesa e komisionerit Celibashi u bazua për të dekretuar 11 Majin si datën e zgjedhjeve.

Presidenti kreu një process konsultimi me të gjitha forcat parlamentare, përveçse me demokratët që e bojkotuan takimin me argumentin se kreu i shtetit po zhvillonte një proces farsë, pasi do të noterizonte sipas tyre datën e përcaktuar nga socialistët.

Zgjedhjet e 11 Majit do të jenë një garë shumë e rëndësishme për të dy kampet më të mëdha politike, si për socialistët që pretendojnë të marrin mandatin e 4-ërt qeverisës, ashtu dhe për demokratët që qëndrojnë në opozitë prej 12 vitesh.

Në këto zgjedhje do të votojnë për herë të parë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, ndërkohë që nuk ka ende një vendim për votimin elektronik në cilat qarqe do të aplikohet.

Socialistët dhe partitë e vogla kanë propozuar Tiranën, ndërsa demokratët kanë dyshime për teknologjinë, nisur nga pretendimet që kanë ngritur në zgjedhjet e 2023-shit.

Ndaj, ata kërkojnë që mos të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme votimi elektronik. Përgjegjësinë për vendimarrjen e ka KQZ që po merr kohë për të dalë me një vendim.

Tv Klan