Fiks 6 muaj pasi Gjykata e Apelit i dha vulën, Zyra e Regjistrit të Partive Politike njeh Sali Berishën si kryetar legjitim të Partisë Demokratike.

“Vërtetojmë se në Regjistrin e Partive Politike pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezulton se me urdhër nr.12 datë 19.12.1990 të Ministrit të Drejtësisë është miratuar krijimi i partisë “Partia Demokratike”, me iniciale PD ose PDSH. Kryetar i Partisë është z.Sali Berisha. E lëshojmë këtë vërtetim në përgjigje të kërkesës së subjektit të interesuar”, thuhet në shkresën zyrtare.

Kujtojmë se për rreth 3 vite pati përplasje mes demokratëve sa i takon pozicionit të kryetarit. Kjo pas vendimit që mori Lulzim Basha në 2021-in për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar.

Përpos “ngërçeve” politike, Berisha fitoi edhe lirinë pas thuajse një viti që ishte nën masën e “arrestit në shtëpi”. Tanimë priten vetëm zgjedhjet parlamentare të 2025-ës më 11 Maj e ku kampi opozitar duket më i organizuar se ç’ishte në zgjedhjet lokale që u zhvilluan në Maj 2023.

/tvklan.al