Lajme Arkiva 2003

61% e nxënësve që mbaruan këtë vit shkollën e mesme do të mund të futen në shkollë të lartë. Janë shtuar 840 vende më shumë se vitin e kaluar për studentë që do të ndjekin shkollën me kohë të plotë. Regjistrimet për konkurset e pranimit në të gjithë universitetet do të fillojnë në datën 11 Gusht dhe do të mbyllen në 26 Gusht.

Testi i pranimit në universitet do të ketë 70 pyetje. Çdo pyetje do të vlerësohet me 3 pikë ndërsa testi i përgjithshëm do të zëvendësohet me mesataren e gjimnazit. Në qoftë se mesatarja e gjimnazit është 10 atëherë pikët që sigurohen prej saj janë 90. 300 janë pikë maksimale të mundshme për çdo konkurrent.

Në Akademinë e Arteve dhe atë të Sporteve nuk do të merret parasysh mesatarja e shkollës së mesme. Në krahasim me vitet e kaluara nuk do të ketë kuota të veçanta për rrethe apo kategori të caktuara. Megjithatë Ministri i Arsimit Luan Memushi nuk saktësoi nëse do të ketë apo jo kuota shtesë të dhëna nga kryeministria. Këtë vit hiqet konkursi në ato degë ku numri i konkurrentëve rezulton të jetë nën kuotën e planifikuar. Pyetjes së sa e efektshme do të jetë mënyra e re e konkurrimit për të evituar korrupsionin ministri Memushi ju përgjigj.

Luan Memushi: Me sistemin e ri të konkurrimit në bashkëpunim me shkollat e larta dhe me rregulloret që shoqërojnë vendimin e qeverisë ne do të bëjmë përpjekjet maksimale për të shmangur çdo prirje për korrupsion./tvklan.al