Drejtuesit e automjeteve pritet të jenë përfituesit e parë të faljes së detyrimeve të papaguara. Sipas projektligjit që pritet të mbërrijë së shpejti në Kuvend, drejtuesit e automjeteve që prej shtatë vitesh nuk kanë paguar asnjë taksë, apo detyrim, mund ta heqin nga qarkullimi mjetin, pa paguar detyrime.
Për këto mjete, fshihen automatikisht taksa e regjistrimit të përvitshëm, taksa vjetore e qarkullimit, taksa vjetore e mjetit të përdorur, taksa e mjeteve luksoze, si dhe gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave.
Zotëruesit e mjeteve kanë kohë 6 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, të shkojnë në drejtorinë e shërbimit të transportit rrugor për të kërkuar heqjen e mjetit nga qarkullimi.
Personat që duan të mbajnë mjetin e të vendosen në rregulla, duhet të kërkojnë pranë kësaj drejtorie që mjeti të mos hiqet nga qarkullimi. Në këtë rast, qytetari e mban aktiv automjetin.
Atij i fshihen detyrimet tatimore që mund të ketë krijuar deri në fund të vitit 2010. Kushti është që drejtuesi i mjetit të paguajë detyrimet nga janari i 2010-ës deri më tani. Duke paguar këto detyrime, drejtuesi përjashtohet njëkohësisht nga gjobat dhe kamatëvonesat e krijuara në periudhën 2011 -dhjetor 2014. Me pagesën e detyrimeve bazë, gjobat dhe kamatat e kësaj periudhe fshihen automatikisht.
Por drejtuesit e mjeteve duhet të tregohen të kujdesshëm. Nëse për 6 muaj, drejtuesi i mjetit nuk kërkon të mbajë aktiv mjetin, pas kësaj periudhe, Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor e heq mjetin nga regjistri i mjeteve të qarkullimit./ tvklan.al