Sali Berisha ka rrëfyer në emisionin “Opinion” se si u bë kryetar i Partisë Demokratike kur u themelua si parti. Ish-lideri politik i selisë blu u shpreh se ka qenë kundër kandidimit dhe të njëjtin mendim ka pasur edhe Gramoz Pashko.

Vetë Berisha tregoi se ka propozuar Azem Hajdarin, por qenë rrethanat që e bënë atë që të kandidonte dhe më pas të fitonte.

“Për shkak të shkrimeve edhe të disa faktorëve të tjerë unë kisha një status më të veçantë në atë Komision Nismëtar të PD-së. Isha i përqendruar në programin politik dhe nëse riktheni pak fjalimin tim të ditës së legalizimit, ai është fjalimi i jetës sime në çdo aspekt. Kështu që kisha një pozicion. Pasi iu bë puç Azemit, se puç ishte ai, unë kështu e quaj… atëherë e vërteta është kjo që jam marrë në mënyrë intensive me zgjidhjen e problemit dhe kam qenë kategorik kundër kandidimit tim si kryetar. Ka disa dokumente për këtë. Kam qenë unë, ka qenë Gramoz Pashko pas meje që nuk donte të kandidonte. Si ndodhi? Ndodhi se aty u zgjodhën disa anëtarë të rinj në Komitetin Drejtues dhe këta anëtarët e rinj në një farë mënyrë kur këta nuk pranojnë të marrin detyrën e kryetarit, çfarë na kërkojnë ne që të jemi anëtarë. Krijoi një situatë ajo që më detyroi të hyja në garë”, tha Sali Berisha.

Ish-kryeministri u shpreh se në atë garë ka marrë vota sa gjithë kandidatët e tjerë./tvklan.al