Një ditë pas transmetimit të emisionit investigative “Stop” në Tv Klan ku u denoncua një rast ngacmimi seksual në spitalin “Shefqet Ndroqi”, Policia e Tiranës ka arrestuar mjekun radiolog Pëllumb Hysko dhe teknikun laborant Artur Zeko. Hysko dhe Zeko të cilët u pezulluan nga detyra, akuzohen për shpërdorim detyre dhe ngacmim seksual.

Ishte një vajzë e re që iu drejtua emisionit “Stop” për të trajtuar sjelljen abuzive, të mjekut imazherist. Në denoncimin e saj, e reja shprehet se kishte shkuar tek klinika private e mjekut imazherist Pëllumb Hysko për një problem shëndetësor, por u përball me ngacmim seksual.

Në pamjet e bëra publike në Tv Klan, denoncuesja ankohet për dhimbje mesi, por mjeku nis ta komplimentojë për fizikun, e duke kërkuar të bëjë disa eko që nuk lidhen me shqetësimet që ajo kishte. 

Madje imazheristi Hysko e këshillon atë të shkonte në Sanatorium ku ai punon që të bënte kontroll pa letra e pa pagesë.

Krahas pezullimit nga detyra të mjekut dhe teknikut laborant të Shefqet Ndroqi, drejtuesit e spitalit kanë urdhëruar fillimin e një hetimi disiplinor dhe të Këshillit të Etikës për të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë rast të paprecedent.

Klan News