Ernest Gjoka merr drejtimin e Skënderbeut. Njoftimi zyrtar ka ardhur nga vetë klubi korçar, që ka bërë të ditur emërimin e teknikut kryeqytetas.
Gjoka do të pasojë në stol Ivan Gvozdenovic, i cili u largua pas humbjes në kampionat ndaj Laçit.
58-vjeçari merr drejtimin e korçarëve dhe do të bëjë debutimin ndaj Tiranës, në sfidën e planifikuar për tu luajtur këtë të enjte.
“Ernest Gjoka zyrtarisht bardhekuq! Tekniku Ernest Gjoka ka arritur marrëveshjen me klubin dhe është zyrtarisht trajner i Skënderbeut. Menjëherë pas prezantimit, Ernest Gjoka do të nisë përgatitjet për takimin e radhës ndaj Tiranës në stadiumin ‘Skënderbeu’. Mirë se vjen Ernest Gjoka!”, thuhet në njoftimin e klubit.
Gjoka e njeh mirë kampionatin shqiptar, pasi ka drejtuar ekipe si Vllaznia, Kukësi, Flamurtari dhe Kamza, ndërsa ka qenë edhe në stolin e Shkupit e Shkëndijës së Tetovës, në Maqedoninë e Veriut.
Skënderbeu mban aktualisht vendin e nëntë me 13 pikë, po aq sa edhe Bylis i vendit të fundit. /tvklan.al