Për 18 muaj do ju sjell ujin ju dhe të gjithë Tiranës, në rast të kundërt unë do të jap dorëheqjen. Këto kanë qenë premtimet që kandidati demokrat Spartak Ngjela i ka dhënë elektoratit të tij gjatë një takimi elektoral të zhvilluar me banorë të njësisë bashkiake numër 3 të kryeqytetit.
Më tej Ngjela ka deklaruar se në programin e tij ai bazohet në dy pika, në transparencën e shpenzimit të fondeve si dhe përgjegjësinë e qeverisjes. Edhe njëherë tjetër Ngjela ka përsëritur se bashkia aktuale është kthyer në një bunker dhe ai do ta sjellë atë në shërbim të qytetarëve.
Spartak Ngjela: Ne duam të rrimë të na drejtojnë nga një bunker?! Se kur unë u them qytetarëve të gjithë bashkë do kthejmë një institucion. Bashkitë e Tiranës, 11 bashkitë e tjera si qendra kur të shërbehet qytetari dhe kundërshtari im dhe të gjithë kundërshtarët dhe më thonë se këto janë premtime të kota, atëherë pyetja është këta zotërinj e duan bunker për të na shtypur këtë institucion .
Ndërsa në orët e paradites kandidati Ngjela pati vizituar dhe bisedoi me banorët e kësaj njësie bashkiake ku pa nga afër problemet e banorëve të kësaj zone.
Ngjela premtoi se do të zgjidhte problemet më imediate të tyre siç janë legalizimi i shtëpive, rregullimi i rrjetit të ujërave të zeza si dhe të rrjetit rrugor, po ashtu Ngjela tha se do të zbusë papunësinë dhe varfërinë që kanë banorë e kësaj zone./tvklan.al