Një sulm kibernetik u raportua se dyshohet se ndodhi ndaj sistemeve të Policisë së Shtetit. Klan News raportoi se për këtë arsye u urdhërua që të fiken të gjitha pajisjet kompjuterike nga të gjitha strukturat.
Pas publikimit të këtij lajmi reagoi Policia e Shtetit. Ajo thotë se në mënyrë të vazhdueshme në bazë të një pune profesionale merr masa për forcimin e garantimin e sigurisë dhe mirëfunksionimin e sistemeve në përditësim.
Policia e Shtetit sqaron se sistemet në përdorim nga ajo vazhdojnë funksionimin e tyre normal.
“Lidhur me publikimet e ndryshme në media për një sulm kibernetik, Policia e Shtetit sqaron opinionin publik se në mënyrë të vazhdueshme, në bazë të një pune profesionale parandaluese, merr masa për forcimin e garantimin e sigurisë dhe mirëfunksionimin e sistemeve në përdorim. Sistemet në përdorim nga Policia e Shtetit vazhdojnë funksionimin e tyre normalisht”, njoftoi policia.
Kujtojmë se më parë në sistemet e sigurisë së Policisë së Shtetit është futur grupi i hackerave iranianë “Homeland Justice”, të cilët publikuan disa video. Po ashtu më herët janë prekur edhe sistemet TIMS apo dhe sistemi e-Albania.
Shqipëria ka akuzuar Iranin se fshihej pas këtij sulmi duke shkëputur në këtë mënyrë marrëdhëniet diplomatike pas vërtetimit të akuzave se fshiheshin ata pas sulmeve kibernetike./tvklan.al