Ndeshja me Çekinë është një përballje që duhet fituar, pasi të mban në garë për vendin e parë në Ligën e Kombeve. Sipas trajnerit Sylvinho nëse jepet maksimumi mund të arrihet rezultat edhe falë mbështetjes së tifozëve.
“Ndeshja e radhës është gjithmonë e rëndësishme edhe sikur të luanim më parë me Ukrainën. Çekia ka 1 pikë avantazh. E kemi thënë që është një grup i vështirë. Mund të ndodhë gjithçka. Ata kanë avantazhin që janë pak më përpara, por ne keni publikun. Duhet të jemi 100% nëse duam të arrijmë rezultat”.
Mbrojtësi Arlind Ajeti kërkon të përsëritet ndeshja me Gjeorgjinë në Tbilisi.
“Shpresoj që të shikojmë ekipin që pamë në Gjeorgji. E dimë që është e vështirë, por do të japim maksimumin për të arritur rezultat me Çekinë”.
Për formacionin, trajneri tha se duhet pritur dita e ndeshjes.
“Kemi 2 ose 3 lojtarë që kanë ndonjë problem të vogël dhe nuk janë në 100%. Deri ditën e ndeshjes do të shikojmë se cilët janë më në formë”.
Ndeshjen Shqipëri – Çeki që do të nisë në orën 20:45 do ta ndiqni direkt në Tv Klan.
Tv Klan