I ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se donte vetëm të vërtetën, e para kësaj nuk vinte asgjë tjetër.
I rikthyer në këtë emision pas më shumë se një viti, duke iu përgjigjur pyetjes së Fevziut, për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PS, Tahiri tha se do të preferonte të dënohej, sesa të pranonte kushte, qoftë edhe nga partia.
Saimir Tahiri:
Hetimet kanë nisur më shumë se një vit më parë. Gjatë kësaj kohe shumë ujë ka rrjedhur, unë kam qenë në mënyrë konstante në vëmendjen e të gjithë atyre që sa herë përmendej çdo histori tjetër lidhur me krimin, emri im ishte gjithmonë aty. I vetmi që ka heshtur jam unë dhe nuk e kam bërë pa shkak, se dija dhe unë të bëja atë që kanë bërë të gjithë të tjerët para meje, sa herë janë vënë në akuza nga politika apo prokuroria. Por kam heshtur sepse kam menduar që nuk duhet të përfitoja në asnjë mënyrë nga pushteti që në një mënyrë apo në një tjetër e kam pasur për shkak të detyrës që kam ushtruar apo për shkak të ngarkesës politike që kam pasur. Kam heshtur, duke mos u marrë me prokurorinë dhe aq më pak me njerëzit që kanë përmendur emrin tim.
Blendi Fevziu:
Të gjithë ata që kanë bërë atë që thoni, kanë kundër reaguar e sulmuar, kanë patur mbështetjen e partisë, i kanë patur krahët… Ndërkohë që partia juve ju lëshoi, ju nxorri jashtë, me shumë stil ju përjashtoi nga grupi parlamentar dhe ju la të notonit apo të lundronit i vetëm. I vetëm nuk është shumë kollaj t’iu përgjigjesh këtyre.
Saimir Tahiri:
Termi që partia të lëshoi mua as më ngroh dhe as më ftoh. As që e dua partinë për të vërtetën time. Ndoshta juve ju duket si batutë për ta thënë në televizor, por unë e thashë edhe në fjalim që do preferoja dënimin, sesa lirimin me kusht. Qoftë dhe kushtet nga partia, në të cilën unë kam shërbyer dhe angazhuar bashkë me shumë të tjerë. Dhe këtë e them sepse unë nuk besoj që një drejtësi është e plotë, në rastet kur kjo afektohet nga pushteti apo marrëdhëniet të cilitdo lloj.
“E thashë pse kam heshtur sepse ka një motiv dhe për t’iu shpjeguar që nuk ka asnjë mllef në atë që thashë sot. Por edhe nëse do të kisha mllef, do të isha i justifikuar. Por nuk kam mllef, kam vetëm arsye”
, tha Tahiri.
/tvklan.al