Takimet e mbështetësve të Blushit, Stefa: Rikandidimi i Ramës disfatë për PS-në

Mbështetësit e Blushit nisin takimet në bazë

Kundërshtaret e zotit Rama brenda selisë rozë intensifikojnë takimet me mbështetësit e tyre në bazë, pak javë përpara mbajtjes së kongresit të jashtëzakonshëm.

Në një intervistë për Televizionin Klan anëtarja e asamblesë së PS-së, zonja Rajmonda Stefa deklaron se në themel të këtyre diskutimeve është njohja paraprake me platformën që do të paraqesë në kongresin e 29 Gushtit anëtari i kryesisë se PS-se, Ben Blushi. Platforme kjo që përqendrohet në tre shtylla kryesore, e ardhmja statusore dhe ajo programore si dhe pozicioni I PS-së në opozitë.

Rajmonda Stefa: “Ka dhe iniciativë të zotit Blushi që ka paraqitur disa ndryshime statusore dhe po kërkon mbështetje të delegatit dhe kongresit dhe kontaktet për këtë iniciativë besoj kanë filluar dhe po vazhdojnë për të sqaruar delegatët që përbëjnë thelbin e këtyre ndryshimeve. Blushi që po përpiqe për të sjellë diçka ndryshe, një platformë do të thosha në kongres për të ardhmen e PS-së, si atë statusore, opozitare dhe programore. Dhe unë mendoj që të dyja ambiciet si të Malajt dhe të Blushit i shërbejnë të ardhmes së Partisë Socialiste.”

Por mbajtja e kongresit të jashtëzakonshëm në 29 gusht hap njëkohësisht dhe garën për kreun e ri të Partisë Socialiste, pas ndërprerjes së mandatit të zotit Rama nga posti i kreut të selisë roze. Për zonjën Stefa,  një rikandidim i Ramës paralajmëron një të ardhme të zymtë në PS duke shënuar kështu dhe disfatën e radhës për socialistët.

Rajmonda Stefa: “Në qoftë se ai do t’i dëgjojë drejtë dhe do të bëjë analiza të drejta, mendoj që Rama edhe mund të mos rikandidojë në qoftë se do t’i ketë ngelur një fije morali politik,  në qoftë se a i ka lidhur gjërat shpirtërisht me Partinë Socialiste dhe jo vetëm bërja kryeministër pasi shpesh herë Rama ka thënë që partitë janë instrumente për të realizuar qëllimet. Meqenëse Rama këtë instrument e keqpërdori dhe nuk e realizoi qëllimin është mirë që Rama të mos rikandidojë, po në qoftë së Rama do të rikandidojë unë do ta shikoj shumë të zymtë të ardhmen e Partisë Socialiste, unë me një Parti Socialiste me Ramën kryetar shikoj një disfatë në zgjedhjet lokale, pse jo dhe një disfatë që do na pasojë pastaj për zgjedhjet e përgjithshme.”

Deklarata e zonjës Stefa vjen në një kohë kur brenda kupolës rozë, por dhe në bazë, zërat qe i kërkojnë Ramës të largohet po shtohen dita-ditës.

Aksioni politik i dy prej kundërshtarëve  të Ramës, Ben Blushit dhe Arben Malajt ka nisur të ravijëzohet përmes platformave dhe projekteve konkrete që pritet të marrin udhë në kongresin e 29 Gushtit./tvklan.al