Mëngjese të ftohta dhe mesditë me temperatura të larta, kështu kanë qenë ditët e kësaj jave që po lëmë pas. Sinoptikani Hakil Osmani nga studioja lëvizëse e “Aldo Morning Show” në Tv Klan tha se në këtë fundjavë pritet që të kemi normalizim të temperaturave duke theksuar se temperaturat e këtyre ditëve të para të muajit Nëntor kanë qenë 6 gradë Celsius më të larta se sa normalja.

Hakil Osmani: E kemi vënë re që në orët e para të mëngjes, temperaturat e ajrit janë disi të freskëta. Kemi pasur një mot të thatë, ku temperaturat në orët e para të mëngjesit kanë qenë të freskëta, por temperatura në orët e mesditës kanë qenë mjaft të larta. Ka qenë kjo diferenca mes dy temperatura ekstreme ditore që na bën t’i ndjejmë mëngjeset akoma dhe më të ftohta. Në orët e para të mëngjesit vlerat minimale në zonat malore kanë qenë në vlerën 3 apo 4 gradë Celsius, ndërsa maksimumet nga ana tjetër në Ultësirën Perëndimore janë regjistruar në vlerën 24 apo 25 gradë Celsius në fillim të Nëntorit, që në fakt nuk janë temperatura normale, janë rreth 6 gradë më të larta se sa duhet që të regjistrohet. Pra duhet të jenë në 19 gradë Celsius, ndërkohë që ne kemi regjistruar deri në 25 gradë Celsius. Por për fat të mirë kjo fundjavë sjell një normalizim për sa i përket temperaturave, kemi një rënie graduale të tyre dhe në orët e mesditës duke bërë që maksimumet të regjistrohen deri në vlerën 21 ose 22 gradë Celsius. Jo vetëm fundjava, por dhe fillim java sjell rënie të temperaturave edhe në vlerat minimale duke bërë që të temperaturat të zbresin deri në vlerën 0 apo 1 gradë Celsius në zonat malor, ndërsa për sa i përket zonave të thella malore kemi dhe vlera negative, sigurisht veri-lindja, kryesisht qarku i Kukësit dhe Pukës.

Për sa i përket javës që vjen sinoptikani parashikon ditë me vranësira me shtim të lagështisë në ajër, duke mos përjashtuar as mundësinë e rrebesheve kryesisht në qytetet si Shkodra, Lezha dhe Vlora.

Hakil Osmani: Duke filluar nga data 12 e javës që vjen pritet të kemi rritje të lagështirës në ajër. Me rritje të lagështirës në ajër rritet dhe mundësia për prezencë shiu në vendin tonë. Që do të thotë se dita e martë dhe e mërkurë do të kenë vranësira të dendura, do të kemi prezente reshjet. Dita e mërkurë dhe dita e enjte do të jenë ato të cilat do të kenë më shumë prezente vranësirat dhe shirat deri në formën e rrebesheve. Kryesisht qarku i Shkodrës dhe Lezhës pritet që t’i ketë disi më të dukshme, gjithashtu dhe në Vlora.

Ditët në vijim të muajit Nëntor sipas Hakil Osmanit do të jenë kryesisht të kthjellëta, por herë pas here të shoqëruara me reshje shiu dhe në formën e rrebesheve, ku më të rrezikuara do të jenë zonat në veri-perëndim dhe veri-lindje të vendit. Përgjithësisht temperaturat do të jenë të larta, më të larta se vlerat normale që duhet të shoqëronin këtë muaj të vitit.

Hakil Osmani: Pjesa tjetër e Nëntorit pritet që temperaturat e ajrit duke filluar nga mesjava, duke pasur prezente reshjet e shiut pritet të ketë edhe rritje të temperaturave të ajrit në orët e para të mëngjesit dhe të mesditës, duke bërë që të kemi vlera pozitive gjatë mëngjesit, 4 gardë Celsius në zonat malore, kurse në zonat e thella malore ngjiten në 0 apo 1 gradë Celsius, po ashtu edhe në orët e mesditës do të kemi maksimume që do të jenë rreth vlerës 22 apo 23 gradë Celsius. Nuk duken temperatura të larta, por për muajin Nëntor janë rreth 4 gradë më shumë seç duhet. Në fakt jo vetëm ky muaj, por të gjithë muajt e këtij viti kanë qenë me temperatura shumë të larta, më të larta se sa vlerat normale. Mesjava sjell prezente dhe erën, pritet që të kemi erë të fortë e cila do të jetë kryesisht nga jugu, nuk është erë e ftohtë, por për trafikun detar herë pas here sjell dhe problematika sepse kur është erë jugore, sigurisht është dhe më e fortë, kështu që pritet të kemi dhe dallgëzime. Mejsava është ajo që do të ketë prezente reshjet e shiut, por më pas me rënien e reshjeve të shiut do të kemi dhe largimin e lagështirës në ajër, çka do të bëjë do të kemi disa ditë me mot të qëndrueshëm. Pjesa e mbetur e Nëntorit për sa i përket reshjeve, në shtrirjen më të madhe nuk do të ketë reshje, por vetëm episode me dy apo tre ditë, janë këto ditë që i sjellin reshjet e shiut dhe në formën e rrebesheve duke bërë që herë pas here të kemi dhe problematika, veri-perëndimi dhe jug-perëndimi janë ato të cilat janë më të rrezikuarat./tvklan.al