Kjo e Shtunë, shënon 95-vjetorin e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri. Në fjalën e tij, kryeministri i vendit Edi Rama solli shembuj nga historia për të theksuar se bektashinjtë kanë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe.
“Nëse sot ne flasim shqip dhe nëse sot alfabeti ynë është latin. Nuk është grek, sllav, por është latin! Kjo i detyrohet, ndër të tjera, në mënyrë shumë të posaçme teqeve ku baballarët krijuan një rrjet të tërë të përcjelljes së alfabetit në gjuhën shqipe. Shqipëria është jo vetëm vendi i vetëm në botë ku bektashinjtë njihen zyrtarisht, por edhe vendi i përcaktuar prej tyre dhe e përsëris, kush flet duhet të marrë disa informacione nga historia. Ka një arsye në histori pse këtu u bë trualli i mbijetesës së një komuniteti fetar që përndryshe do ishte zhdukur”, tha kreu i qeverisë.
Më tej, ai deklaroi se bektashizmi është thesar i gjallë që duhet shpëtuar, sepse kërcënohet nga zhdukja.
“Numëroni sot baballarët e teqeve sa janë. Pse janë kaq pak?! Pyetja nuk është pse janë kaq pak sot, por me çfarë verbërie dhe pashpirtësie ne do të qëndrojmë duarkryq dëshmitarë kur në 100-vjetorin të jenë më pak?! Në 110-vjetorin, të jetë histori e së shkuarës?!”
Siç e ka nënvizuar edhe më herët, Rama tha se ky komunitet fetar e ka qendrën botërore në Shqipëri, e si i tillë, duhet ruajtur… Në Shtator të vitit të shkuar, Rama bëri publike nismën e tij për krijimin e Shtetit Bektashi, gjë që ngjalli reagime në vend e botë.
/tvklan.al