Të gjithë ata që mendojnë pushimet verore në rivierën e jugut, kanë parasysh edhe këtë pamje përgjatë udhëtimit të tyre.

Për disa kjo është një pamje e bukur. E për shumë të tjerë Qafa e Llogarasë është një kalvar i mundimshëm me malore, apo kthesa të forta gjarpëruese.

Por prej 5 Korrikut, ky kalvar i udhëtimit do të harrohet nga të gjithë drejtuesit e automjeteve, pasi është hapur vepra infrastrukturore më e rëndësishme në vend, Tuneli i Llogarasë.

Tuneli me një gjatësi prej 5.9 kilometrash shkurton ndjeshëm rrugën krahasuar me atë të mëparshmen nga Qafa e Llogarasë që ishte rruga kryesore për në plazhet e jugut.

Tuneli i Llogarasë i pozicionuar 600 metra mbi nivelin e detit Jon, është i pajisur me të gjithë elementet e sigurisë, duke e bërë atë komod dhe të sigurt përgjatë gjithë udhëtimit.

Në të gjithë gjatësinë prej 5.9 kilometrash, në këtë tunel janë edhe 11 dalje emergjence që lidhen paralel me tunelin tjetër i cili është në fazë punimesh.

Tuneli i Llogarasë monitorohet 24 orë në 24 nga kamerat e sigurisë dhe elemente të tjerë që janë të lidhura në sistem online.

Ndër të tjera është i pajisur me teknologjinë e fundit edhe sa i përket telekomunikacionit, pasi edhe brenda në tunel nuk shkëputet rrjeti telefonik mobile.

E kur dilet nga ana tjetër e tunelit më të ri në vend, kjo është panorama e mrekullueshme që ndeshet çdo udhëtar apo turist, plazhi i Palasës me ujin e tij të kristaltë.

Deri ne fund te sezonit turistik te këtij viti, Tuneli i Llogarasë do të jetë falas për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve.

Klan News