Ndalesa në disa fshatra të Fierit e kryetarit të qeverisë, Berisha i ka shërbyer për të garantuar më shumë investime në të ardhmen. Turi “Shqipëria po ndryshon” do te kurorëzohej me inaugurimin e katër investimeve të rëndësishme me një vlerë prej 517 milion lekë.
Së pari në komunën e Strumës, kreu i qeverisë inauguroi fillimin e punimeve për rrugën Strum-Fier, me gjatësi 24 kilometra dhe që kap një vlerë 400 milion lekë.
Fillimi i punimeve për rrugën Kuz –Strum, një tjetër investim ky i qeverisë me një vlerë 50 milion lekë ishte ndalesa e radhës për shefin e ekzekutivit, i cili shoqërohej dhe nga ministri i Transporteve Sokol Olldashi.
Gjate takimit me banoret e këtyre zonave kryeministri Berisha tha se zhvillimi i zonave rurale është një përparësi absolute për qeverinë dhe për këtë vijoi Berisha në më pak se katër vjet janë investuar 1.6 miliard dollarë.
Sali Berisha: “Këto 8 vite e 3 muaj qeveria ime ka investuar në Strum rreth 300 milion lekë vetëm 8 milion lekë që u investuan në këtë komunë, në ujësjellësin e Sukës në 8 vitet që shkuan. Unë ju garantoj ju se infrastruktura e komunës se Strumës, rrugët e asfaltuara për ju, mbare Myzeqenë dhe mbarë Shqipërinë, shkollat e reja, ujësjellësit dhe kanalizimet do të jenë përparësia jonë e parë.”
Me tej kreu i ekzekutivit u ndal tek ajo qe ai e cilësoi beteja e kësaj qeverie me varfërinë.
Sali Berisha: “ Ju garantoj ju Shqipëria i ka të gjitha mundësitë, të gjitha mjetet financiare dhe të tjera që as dhe një qytetar i vetëm të mos jetojë mjerimin, por kjo kërkon para së gjithash dhe mbi të gjitha që këshillat vendore, që autoritetet vendore ndihmën ekonomike që ne japim dhe është 150 milionë euro, këtë ndihmë ta ndajnë së pari me parimin, asnjë shqiptar në mjerim. Në rast se nuk u arrijnë parat le t’i kërkojnë qeverisë.”
Për kryeministrin Berisha liberalizimi i vizave është një tjetër premtim që do të bëhet realitet në mandatin e dytë të kësaj maxhorance.
Sali Berisha: “ Unë ju jap ju fjalën se ashtu siç u premtova për anëtarësimin në NATO dhe së bashku e shndërruam në realitet, ashtu do u premtoj për heqjen e vizave dhe ju të lëvizni pa viza si qytetarë evropian në mbarë Evropën. Kjo kërkon që secili të përmbushë detyrimet e tij dhe ajo që kërkoj nga ju është pajisjen me letërnjoftimet e reja, pajisjen me pasaportat biometrike sepse pa këto pajisje të tjerët nuk do të pranojnë të heqin vizat me ne.”
Pas vizitës në komunën e Strumës, ndalesa e radhës e kreut të qeverisë ishte Roskoveci, ku u njoh më nga afër me problemet e kësaj qyteze.
Sali Berisha: “Absolutisht ne atë po bëjmë, prapë se prapë s’mund t’i lëmë qytetarët me këto gropa, rrugën do ta ndërtojmë ne. Është shpallur tenderi dhe do përfundojë shpejt, kjo është 1 km rrugë.”
Në komunën e Kumanit, një tjetër pritje do të rezervohej për kreun e qeverisë nga banorë të zonës. Inaugurimi i shkollës së re 9 vjeçare në fshatin Vidhishtë ishte investimi i qeverisë me një vlerë prej 45 milion leke.
Sali Berisha: “Urojmë gëzuar shkollën e re, gëzuar të gjithëve.”…/tvklan.al