Ilva Gjuzi është nënkryetare e Asamblesë së Partisë Socialiste, e zgjedhur në këtë detyrë së fundmi 1 vit pas anëtarësimit dhe angazhimit të saj me këtë parti.

Ajo ka qenë e ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, ku ka treguar se ka përfunduar studimet për arkitekturë në Universitetin e Kembrixh dhe është kthyer në Shqipëri, ku dhe u angazhua në politikë përmes Partisë Socialiste.

Ajo thotë se zgjodhi socialistët për shkak të vizionit që kanë treguar si forcë politike.

Por të ftuarit e tjerë në studio shfaqën skepticizëm rreth arsyeve përse u anëtarësua në PS, për sa kohë nuk përmendi bindje politike apo trashëgimi familjare politike.

Në diskutim u përfshi dhe Belind Këlliçi, drejtuesi politik i PD-së në Tiranë, i cili zbuloi se babai i saj, që vjen nga fusha e sipërmarrjes, ka qenë kreu i njësisë administrative të Golemit me Partinë Socialiste.

Ilva Gjuzi: Unë jam nënën e 3 fëmijëve, para 10 vitesh u ktheva në Shqipëri pasi u diplomova në Universitetin e Kembrixh, kam studiuar për arkitekturë. Jam kthyer në Shqipëri sepse besoj që Shqipëria është vendi më i mirë në botë me gjithë të metat dhe të këqijat që mund të ketë. Besoj te puna, te orët e punës, te kilometrat. Unë jam këtu sepse besoj që kam kapacitetin për të dhënë kontribut për vendin tim. Është detyra morale e kujtdo që ka kapacitet të kontribuojë për vendin.

Blendi Fevziu: Ju jeni nënkryetare e Asamblesë Socialiste e zgjedhur. Brenda 1 viti ky katapultim nga anëtarësim brenda 1 viti nënkryetare e Asamblesë është i zakonshëm?

Ilva Gjuzi: Nuk është katapultim. Unë vij nga sektori privat, vij nga sipërmarrja, jam një njeri që e njoh terrenin, i njoh orët e punës dhe që di po nuk punove nuk arrin askund. Kur u hap Akademia e PS thashë po shkoj të aplikoj.

Blendi Fevziu: Pse nuk shkove te PD-ja për shembull të mësoje?

Ilva Gjuzi: Këtë duhet të pyesim partinë tjetër pse nuk më ka tërhequr.

Blendi Fevziu: Ti ishte e hapur për të dyja?

Ilva Gjuzi: Absolutisht. Unë jam një person që nuk më intereson kush është partia ku aderoj. Unë shikoj punët e bëra, shikoj vizionin, shikoj sistemin dhe them këtu. Unë nuk kam nevojë të jem në politikë. E kam ndërtuar jetën time pa qenë në politikë fare. Nuk kam trokitur në derën e PS sepse kam nevojë për një punë.

Armand Shkullaku: A ke një bindje politike?

Ilva Gjuzi: Politikën e kam ndjekur nga jashtë.

Blendi Fevziu: Po vetë keni pasur emocione politike?

Ndërhyn Armand Shkullaku: Keni pasur traditë familjare?

Ilva Gjuzi: Unë pëlqej njerëzit që i qëndrojnë të vërtetë vetvetes, pavarësisht nuk mund të ndaj me të gjithë të njëjtat opinione. Ajo çka PS ka ofruar në gjithë këto vite, pra ka pasur një vizion, një program, dhe unë besoj që Shqipëria sot është një vend më i mirë se çfarë ishte 11 vite më përpara. Madje më është ofruar dhe PD kur sapo kam ardhur në Shqipëri. I thashë, faleminderit por nuk bëj për ju.

Belind Këlliçi: Nuk ka asgjë të keqe të kesh dhe traditë familjare, duhet të jeni transparente dhe të thoni që babai juaj ka qenë kreu i njësisë administrative të Golemit me Partinë Socialiste.

Ilva Gjuzi: Po, para 8 muajsh, e vërtetë kjo.

Belind Këlliçi: Atëherë a ka qenë funksionar i PS? S’ka asgjë të keqe, unë nuk e mohoj.  

Ilva Gjuzi: Unë jam demokrate socialiste. Babai im është një person që nga viti ’90 ka qenë sipërmarrës dhe atë pozicionin që ka pasur e ka pasur për kontribut. Unë jam një demokrate socialiste. Në perceptimin tim, ky është modeli i demokratëve të Amerikës ose i liberalëve të Anglisë.

/tvklan.al