Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj japin çelësat e 20 banesave të reja

Pak ditë nga 2-vjetori i tërmetit tragjik të 26 Nëntorit 2019 në Tiranë është inauguruar Lagjja e parë e Programit Kombëtar të Rindërtimit, Lagjja e re në Vaqarr, e ringritur nga e para pas rrënimit të 2 viteve më parë. Plot 20 familje të kësaj zone kanë marrë sot çelësat e banesave të reja të rindërtuara nga e para falë kontributit të Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, një prej donatorëve të shumtë që iu bashkuan thirrjes së qeverisë për tu solidarizuar me të prekurit e tërmetit që gjunjëzoi Shqipërinë dy vite të shkuara.

Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe drejtuesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari ishin sot në lagjen e re të Vaqarrit ku dorëzuan një prej investimeve më moderne të Programit të Rindërtimit. Kryebashkiaku Veliaj gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë inauguruese të këtij blloku rezidencial u shpreh krenar që Programi i Rindërtimit po e kthen sfidën e tërmeteve nga një fatkeqësi në një potencial transformimi të zonave më të skajshme të kryeqytetit.

“Me këtë projekt ne fillojmë një seri lagjesh të tilla. Lagjja tjetër do të jetë në Ndroq. Është rreth 3 herë më e madhe dhe me rreth 70 shtëpi. Të njëjtën gjë po bëjmë në Zallherr ku kanë mbaruar karabinatë. 55 shtëpi të tjera në Baldushk dhe presim të fillojmë për punë ditësh projektin e një lagjeje të ngjashme në Pezë të Madhe. Ky model që ngremë sot realisht e ngre stekën, ndërton një etalon se çfarë do të thotë të shkojmë nga ndërtesa të vetmuara nëpër cepa, në një bashkëjetesë, në një komunitet,” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë u ndal edhe te projekti më ambicioz i rindërtimit në kryeqytet, sic është ai i lagjes “5 Maji”. Ne sapo kemi filluar kantieret e reja në lagjen “5 Maji”, ndërkohë që para Vitit të Ri do të mbarojnë pallatet e para dhe do të futen 100 familjet e para te rruga “5 Maji”. Aty tani kemi filluar përveç pallateve edhe pjesën e infrastrukturës për t’u siguruar që ndjehesh në Tiranë. Kur shikon ndriçimin led, kur shikon rrugën, trotuare, mënyrën e mbledhjes së plehrave, furnizimin me ujë. Atje kemi filluar infrastrukturën dhe do të jemi me Kryeministrin përpara Vitit të Ri me familjet e reja të lagjes “5 Maji”.

Veliaj ka folur edhe për procesin e rindërtimit në një tjetër lagje të re, atë të Kombinatit. “Ne do të transferohemi pastaj te kantieri tjetër i Kombinatit për të cilin dua të sqaroj disa gjëra. Kemi një proces shumë të ndershëm të trajtimit të qytetarëve derisa të mbërrijnë në shtëpi dhe të marrin çelësat. Kemi një proces ku secili do të vijojë të marrë bonusin e qerasë dhe nuk do të duhet të tutet as nga tallazet e politikës, as nga histeritë lokale, as nga thashethemet e lagjes. Secili do ta marrë deri në ditën e fundit bonusin e qerasë për të jetuar në një shtëpi dinjitoze edhe pse të përkohshme derisa të marrë shtëpinë e vet të përhershme,” tha kryebashkiaku.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se i gjithë ky proces po ndryshon jetën e 33 mijë familjeve të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit të 2 viteve më parë. “Janë mbi 500 familje vetëm në Bashkinë e Tiranës dhe mijëra të tjera që banojnë në apartamente të rikonstruktuara dhe ndërkohë jemi në fazën që fillojmë me blloqet ku së shpejti do hyjnë në shtëpi jo vetëm ata që janë në pritje në Ndroq, apo në Zall Herr por dhe pika të tjera si “5 Maji” këtu në Tiranë, e cila do jetë lagje shembullore pasi gjithçka po ndërtohet nga e para dhe do krijohet edhe një hapësirë e re urbane,” u shpreh ndër të tjera kryeministri.

Drejtuesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari deklaroi se deri më tani ky Fondacion ka dhuruar për familjet që humben shtëpitë nga tërmeti 31 shtëpi dhe janë në plan për tu ndërtuar edhe 13 shtëpi të tjera. “Ndjehem krenar që bamirësit e “Fundjavë Ndryshe” dhuruan 11 shtëpi në Tiranë, Durrës, Fushë Krujë, Vorë; që ndërtuam këtë kompleks modest me 20 shtëpi në Vaqarr dhe që jemi në proces për 13 shtëpi të tjera, të gjitha të mobiluara. Por ndjehem njëkohësisht i keqardhur me kohë që nuk mund të bëjmë dot më tepër. Bamirësit tanë dhanë 1.5 milion dollarë gjatë fazës emergjence për tërmetin. Sot mbajtëm një premtim të dhënë,” u shpreh ai.

Në njësitë administrative Bërzhitë, Baldushk, Krrabë, Vaqarr, Petrelë dhe Lagjen 13 janë gjithsej 510 banesa individuale që përfitojnë nga Programi i Rindërtimit nga të cilat 381 kanë përfunduar. Në Njësinë Administrative Vaqarr ka përfunduar edhe ndërtimi i infrastrukturës publike dhe gjithashtu do të ndërtohet shkolla e re dhe po vazhdon puna në Ndroq, Baldushk, Zall Herr për 182 shtëpi të reja./tvklan.al