Artan Laze, gjyqtari i Gjykatës së Tiranës nuk do të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë. Ai është shkarkuar nga Komisioni i Vetting-ut pasi nuk justifikon pasurinë dhe ka kryer deklarim të rremë. Për avokatin e gjyqtarit, ky proces nuk ishte i drejtë, duke paralajmëruar se do të apelojë vendimin.
Komisioni këtë të mërkurë zhvilloi dhe një seancë dëgjimore edhe me Prokurorin e Tiranës, Adriatik Cama, i cili ka drejtuar dosjen e 21 Janarit. Ai është njëkohësisht kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sipas relatores, Cama nuk justifikon pasurinë.
Por pjesën më ta madhe të debatit e mori çështja e pastërtisë së figurës dhe aftësia profesionale e prokurorit. KPK tha në relatim se Cama, në kohën kur ka drejtuar Prokurorinë e Lushnjes ka marrë para sëbashku me një prokuror tjetër për të pushuar hetimet për një dosje. Vetë prokurori sqaroi se gjatë punës së tij nuk kishte pranuar të bënte kompromise dhe të ishte pjesë e aferave korruptive.
Prokurori, sipas trupës, mund të vihet në presion, pasi ka kontakte me persona me precedentë penalë. Por kjo ka sjellë dhe reagimin e Adriatik Camës, i cili sqaroi se ai kishte arrestuar persona në vitin 1997, kur shteti kishte rënë dhe nuk ishte intimiduar as në hetimin e çështjes së 21 Janarit. Ai sqaroi se gjatë punës së tij nuk kishte pranuar të bënte kompromise dhe pjesë e aferave korruptive. Ai kërkoi rikonfirmim në detyrë për t’i shërbyer ligjit.
Tv Klan